Europa po, Europa – tani!

Është kënaqësi e madhe për mua që në këtë kolumnë kam mundësi që opinionin t’a njoftojë për konferencën e tretë vjetore të Forumit Ekonomik dhe Financiar të Shkupit (SEFF). SEFF-i është nismë e Ministrisë së Financave për vendosjen e platformës lidhur me debatet mbi politikat publike në temat që janë relevante për vendin tonë dhe rajonin e gjerë. Kjo platformë është rezultat i impenjimeve tona si institucion për transparencë dhe dialog inkluziv me të gjithë pjesëmarrësit në shoqëri duke marrë parasysh se inkluziteti është kyç për sjelljen e zgjidhjeve të qëndrueshme. Bashkimi dhe debati i politikëbërësve, përfaqësuesve të politikës, partnerëve ndërkombëtarë të zhvillimit, përfaqësuesve të shoqërisë civile, opinionit akademik, sektorit të biznesit dhe ekspertëve të tjerë është me qëllim të krijimit të sinergjisë së ideve dhe nismave për rikuperim ekonomik dhe rritje inkluzive, të përshpejtuar dhe të gjelbër. 

Në prag të një të nesërme më të mirë evropiane, ku para qytetarëve tanë ofrohen mundësi të shumta të reja për një standard më të mirë, kushte të përmirësuara, siguri dhe perspektivë, tema e sivjetme e diskutimit e konferencës nuk mund të ishte ndonjë tjetër përveç asaj për Be-në. “EVROPA – PO, EVROPA – TANI”, përkatësisht, “Integrimi evropian dhe prosperiteti ekonomik” është tema për të cilën do të diskutohet në konferencën e tretë vjetore të SEFF-it, që do të mbahet në 15 shtator. Debatet do të jenë rreth përshpejtimit të integrimit evropian dhe rajonal, përmirësimit të mjedisit për sigurimin e prosperitetit, gjeopolitikës dhe politikës ekonomike, si dhe trendeve dhe mundësive për ekonominë. Në këtë konferencë do të diskutojnë përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian, bankave evropiane – Banka Evropiane e Investimeve, Këshilli i Bankës Zhvillimore Evropiane dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, institucioneve ndërkombëtare financiare, siç janë Banka Botërore, FMN-ja, USAID-i, përfaqësues të qeverive të rajonit, diplomatë, përfaqësues të sektorit të biznesit, opinionit akademik etj.

Këto ditë kur çështja mbi eurointegrimet ka kryesisht përmasa politike, do të ishte mirë që përsëri të diskutohet lidhur me të aspektet – ekonomike, sociale dhe gjeostrategjike, me qëllim që të gjithë ne si qytetarë të kemi pasqyrë të qartë. Pa dyshim, në dy dekadat e fundit u ballafaquam me shumë pengesa, gjë që e lëkundi besimin e një pjese të opinionit publik se a do të realizohet axhenda evropiane. Por ekziston një shprehje “Nata është më errët pikërisht para agimit” (Gjithmonë është më rëndë para se të arrihet qëllimi). Për shembull, në rastin e Kroacisë, pak kohë para se të anëtarësohej në Bashkimin Evropian, vërehej ambivalenca e opinionit sa i përket procesit të eurointegrimeve. Personalisht, pres që në periudhën e ardhshme me përshpejtim do të ulet eurskepticizmi, megjithatë duhet të arrijmë deri te ajo pikë. Në këtë kolumnë do të jap opinionet e mia pse duhet t’i thuhet “PO” Evropës dhe pse pikërisht “TANI” është momenti i vërtetë, si një uverturë e diskutimit tim në SEFF.

Pse “PO” për Evropën?

Bashkimi Evropian si projekt politik i paqes, si bazë të tij e ka bashkimin ekonomik. Duke filluar nga Komuniteti Evropian për Thëngjill dhe Çelik e deri në krijimin e një bashkimi monetar me një valutë të njësuar, motivet për lidhjen e shteteve të tokës evropiane, kryesisht ishin për shkak të interesave ekonomike. Të gjitha këto vende ndajnë vlerat e përbashkëta, shtytjen për paqe, demokracinë, sigurinë dhe të drejtat e njeriut. Sot, si rrjedhojë e kësaj, 27 vendet anëtare paraqesin një përmbledhje homogjene të kulturës, gjuhëve dhe historisë, që janë bashkuar për sigurimin e kushteve më të mira të jetesës së qytetarëve.

Ekonomistët gjejnë burime të pashtershme të inspirimit për hulumtime, analiza, punime të dedikuara Bashkimit Evropian dhe fuqisë së saj të transformimit mbi shoqërinë dhe ekonominë. Teoria e përparësive komparative, arritja e vëllimit më të madh të ekonomisë, teoritë e integrimit financiar dhe ekonomik dhe të rritjes endogjene, zbatohen në BE. Tregu i vetëm, integrimi fiskal dhe financiar, ndërlidhja institucionale dhe harmonizimi me legjislacionin evropian, në tërësi ose më mirë thënë – simbioza me më të zhvilluarit dhe avancuarit, kontribuan në përshpejtimin e rritjes dhe zhvillimit të ekonomive që do të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian. Si matësi (vlerësuesi) më i mirë fuqisë së transformimit së BE-së është standardi jetësor.

Sipas analizave dhe studimeve të realizuara në disa periudha më të gjata për efektin e BE-së, vlerësohet të ketë 12%-20% shtresë të PBB për kokë banori. Disa studime efektet nga tregu i vetëm evropian mbi tregtinë dhe PBB-në, i kuantifikojnë me mesatare rreth 10% të PBB-së në BE. Te vendet e reja anëtare vërehet edhe përmirësimi i klimës së udhëheqjes së biznesit, si dhe përmirësimi në reformat strukturore. Nëse do të bënim një përmbledhje, përfitimet do të jenë:

Integrimi tregtar. Tregu i vetëm (i njësuar) është platformë e tregtisë së lirë për anëtarët, pa barriera doganore dhe jodoganore. Siç thashë më lart, ky aspekt stimulon specializimin, rritjen dhe konvergjencën midis vendeve anëtare. Do të marr si shembull zgjerimet e vitit 2004 dhe të vitit 2007, përpara të cilave tregtia midis vendeve anëtare të vjetra dhe të reja u rrit pothuajse trefish në më pak se 10 vite dhe pesëfish midis anëtarëve të rinj. Përfitimet janë si nga aspekti i konkurrencës më të madhe të ekonomisë, ashtu edhe nga qytetarët që kanë qasje në sasi dhe cilësi më të madhe të produkteve dhe shërbimeve, me kosto më të ulëta. Për shembull, shërbimet e internetit dhe telefonit në të gjithë BE-në kanë kosto të njëjtë, si rezultat i heqjes së roamingut. Këtu vlen të përmendet mbrojtja e të drejtave të konsumatorëve, të cilat në BE janë në nivel të lartë.

Ekonomitë e shkallës. Përmes tregut të vetëm prej gjysmë miliardi konsumatorësh, nga këndvështrimi mikroekonomik është shumë më e lehtë të arrihet ekonomia e shkallës, që do të nënkuptonte ulje të kostove përmes vëllimit më të madh të prodhimit. Gjithashtu, BE-ja është blloku më i madh tregtar në botë, eksportuesi më i madh i mallrave dhe shërbimeve të prodhuara, si dhe tregu më i madh i importit. BE-ja përfshin rreth 15% të tregtisë botërore. Falë performancës së përbashkët, strategjia e përbashkët tregtare është vendosur lart në skenën e tregtisë botërore, ndërsa marrëveshjet tregtare bilaterale hapin mundësi të reja për kompanitë e BE-së për të hyrë në tregje të reja.

Valuta e vetme dhe lëvizja e lirë. Sipas disa studimeve, aprovimi i valutës së përbashkët, si dhe heqja e kufijve të brendshëm në BE bëhet në drejtim të lehtësimit të mëtejshëm të tregtisë, duke stimuluar kështu rritjen ekonomike dhe zhvillimin e ekonomive të caktuara. Mbi 340 milionë qytetarë të BE-së përdorin euron, me ç’rast janë të mbrojtur nga diferencat e kursit dhe spekulimet devizore, ndërsa kjo kontribuon edhe në përforcimin e tregut të vetëm. Lëvizja e lirë i referohet bizneseve, të cilat mbrohen nga risku i globalizimit përmes rregullave të BE-së për përkrahjen e bizneseve të vogla, ashtu edhe njerëzve që mund të edukohen, japin kontributin e tyre si vullnetarë dhe punojnë në BE.

Integrimi financiar. Integrimi evropian nënkupton edhe aspektin e hapjes financiare, me nivel më të madh të liberalizimit të llogarisë kapitale. Literatura ekonomike i referohet edhe efektit të depërtimit të investimeve të huaja direkte, si rezultat i integrimit, që nënkupton investime të reja, vende pune, transferim të teknologjisë dhe njohurive, deri në zhvillimin e ekonomisë. Zgjerimi i vitit 2004 tregon se flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte nga BE-15 tek anëtarët e rinj përfshijnë 30% të PBB-së nga vendet e reja anëtare në dy vitet vijuese (KE 2006).

Solidariteti dhe fondet e përbashkëta. Bashkimi Evropian siguron fonde strukturore dhe investuese për vendet e reja anëtare, si dhe fonde zhvillimore për vendet kandidate përmes Fondeve Paraaderuese (IPA). Këto fonde kanë rol të rëndësishëm në zhvillimin e barabartë rajonal, zhvillimin e infrastrukturës dhe stimulimin e rritjes ekonomike.

Integrimi institucional. Përmirësimi në drejtim të sundimit të ligjit, stabilitetit politik, cilësisë rregullatore, luftës kundër korrupsionit, llogaridhënies, efektivitetit në sektorin publik dhe shërbimeve – këto janë përfitimet e transponimit të legjislacionit mbinacional evropian në legjislacionin nacional. Progresi është veçanërisht i madh në periudhën paraaderuese, kur energjia reformuese ofron rezultate impresionuese në ngritjen e kapaciteteve institucionale.

Disa përfitime të tjera janë qasja e integruar në zgjidhjen e disa çështjeve esenciale me rëndësi globale, si mbrojtja e mjedisit jetësor dhe përballja me ndryshimet klimatike. Gjithashtu, diplomacia ndërkombëtare, ku zëri i të gjitha vendeve të BE-së, ka efekt dhe peshë dukshëm më të fuqishme në korniza ndërkombëtare, sesa nëse ato veprojnë individualisht. Me këtë çështje lidhet edhe siguria, si dhe të drejtat e njeriut, të cilat rregullohen me legjislacion mbinacional.

Mbi njëzet herë më shumë fonde të BE-së për banor pas anëtarësimit në BE

Ashtu siç vendi i përafrohet Bashkimit Evropian, ashtu hapen më shumë fonde, të disponueshme për shfrytëzim, zhvillimore dhe strukturore. Anëtarët, nga ana tjetër, kanë në dispozicion fonde që janë shumë herë më të larta se kandidatët për anëtarësim. Do të bëj një krahasim midis Fondit të Kohezionit dhe Fondeve Paraaderuese IPA të BE-së.

Fondi i Kohezionit destinohet për përkrahjen e vendeve anëtare të BE-së që kanë të ardhura nacionale bruto (Gross National Income) më të ulëta se 90% e mesatares së BE-27. Qëllimi i këtij fondi është përforcimi i vendeve anëtare ekonomikisht më pak të zhvilluara, me qëllim përfundimtar kohezionin ekonomik dhe social në BE. Me mjetet nga Fondi i Kohezionit përkrahen projektet në fushën e mjedisit jetësor, si dhe rrjetet transevropiane në fushën e infrastrukturës së transportit. Për periudhën 2021-2027, vendet që janë shfrytëzuese të Fondit të Kohezionit janë Bullgaria, Çekia, Estonia, Greqia, Kroacia, Qiproja, Letonia, Lituania, Hungaria, Mallta, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia, ose rreth 128 milionë banorë të BE-së. Për periudhën 2021-2027, përmes këtij fondi, në dispozicion të këtyre vendeve janë 392 miliardë euro, ose sipas përllogaritjeve të përafërta, rreth 3.000 euro për banor për këto vende (me popullsi të përgjithshme prej 128 milionë banorësh).

Për periudhën e njëjtë, Fondi Paraaderues – IPA III (2021-2027) është në dispozicion të vendeve kandidate ose atyre vendeve që janë potenciale për anëtarësim në BE, në vlerë të përgjithshme prej 14.2 miliardë eurove. Qëllimi i këtij fondi, bazuar në parimin e solidaritetit është përkrahja e vendeve që aspirojnë për anëtarësim për zbatimin e reformave politike, institucionale, juridike, administrative, sociale dhe ekonomike, me ç’rast u kërkohet atyre që në përputhje me rregullat, standardet, politikat dhe praktikat e Bashkimit Evropian, ta sigurojnë më tej stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e tij. Sipas përllogaritjeve, IPA III ofron rreth 140 euro për banor për qytetarët e Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Turqisë (me një popullsi të përgjithshme prej 103 milionë banorësh).

Si përmbledhje, diferenca nga “paradhoma” e BE-së në atë brenda saj është 2.868 euro për banor, respektivisht 21.8 herë më shumë (3.006/138=21.8). Kjo do të thotë se, sipas përllogaritjeve, anëtarësimi në BE do të sjellë 2.868 euro shtesë për banor në vend, përkatësisht 5.2 miliardë euro shtesë në pesë vjet, që është në nivelin e njëjtë aq sa është buxheti në vendin tonë për vitin 2023. Këto janë mjete me të cilat do të mund të kemi infrastrukturë më të mirë, kushte më të mira jetese, më shumë mjete për punën e ndërmarrjeve tona dhe standard më të mirë  jetese për punëtorët tanë. Do të theksoj se kjo është vetëm përllogaritje e përafërt, ndërsa përfitimet e anëtarësimit janë shumëfish më të mëdha dhe në disa fronte, siç shkrova më lart. Natyrisht, ka edhe kosto që lidhen me adaptimin e prodhimit dhe respektimin e standardeve rigoroze ekologjike, të cilat duhet të zbatohen në mënyrë të pashmangshme në drejtim të rritjes së konkurrencës dhe rezistencës së ekonomisë sonë, që synon të integrohet në zinxhirin evropian dhe global të krijimit të vlerës

Në një nga kolumnat e kaluara dedikuar BE-së (do të theksoj sërish edhe si zëvendëskryeministër i çështjeve evropiane edhe si ministër i Financave se, BE është inspirimi im i vazhdueshëm për analiza dhe shqyrtime), kam shkruar për buxhetin e BE-së, i cili për periudhën 2021-2027 vlerësohet në rreth 2.000 miliardë euro, mjete të destinuara për përkrahjen e këtyre fushave: Integrimi klimatik dhe dixhital; Tregu i përbashkët dhe inovacionet; Kohezioni, rezistenca dhe vlerat e përbashkëta; Burimet natyrore dhe mjedisi jetësor; Migrimi dhe menaxhimi i hapësirës kufitare; Fqinjësia, bota dhe administrata publike evropiane. Kjo, vetëm në mënyrë që lexuesit të kenë një ide më të gjerë për të gjitha fondet që janë në dispozicion edhe për kandidatët, por më shumë për anëtarët e BE-së.

Pse Evropa “TANI”?

Pas fillimit të luftës në Ukrainë, gjithnjë e më shumë theksohet se tani është momenti i duhur për zgjerimin e Evropës, si dhe se tani është koha e duhur që Ballkani Perëndimor të përafrohet dhe të integrohet në BE. Me afrimin e zgjedhjeve të Parlamentit Evropian në vitin 2024, ka gjithnjë e më shumë gjasa që zgjerimi i mëtejshëm të jetë prioritet në axhendë. Gjithnjë e më të pranishme janë deklaratat dhe ata që impenjohen në këtë drejtim për integrime dhe zgjerime të mëtejshme të BE-së.

Rreth një muaj më parë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, publikoi planin e ri për afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian dhe pêrkrahjen e tyre ekonomike. Dhe ky plan mund të kuptohet si një dorë e shtrirë drejt Ballkanit Perëndimor. Siç theksoi kryetarja, qasja e re e BE-së nuk është vetëm të kërkojë nga partnerët një hap drejt BE-së, por edhe BE-ja të bëjë një hap të madh drejt tyre dhe qëllimi i përbashkët është përshpejtimi i procesit. Nuk duhet lexuar shumë mes rreshtave për këtë porosi të qartë që Von der Leyen u drejtoi liderëve, por edhe qytetarëve. Kjo është një mundësi vërtet e madhe, që duhet shfrytëzuar edhe si porosi inkurajuese, veçanërisht në një periudhë specifike kur optimizmi për hyrjen në BE varion.

Pas disa krizave ekonomike globale me të cilat jemi përballur gjatë tre viteve të fundit, ky është një lajm i mirë, për të cilin duhet të jemi të informuar, ta identifikojmë dhe ta shfrytëzojmë. Fillimisht, le të kapim momentin historik dhe ta shfrytëzojmë atê në maksimum për të zbatuar reformat e nevojshme dhe siç e them shpesh, ta sjellim “Evropën në shtëpi”, edhe atë para se të bëhemi anëtare e BE-së. Së dyti, le ti vëmë përpara të gjitha avantazhet dhe sfidat dhe të marrim një vendim racional, nga i cili dobi do të kenë qytetarët tanë, e tashmja dhe e ardhmja e tyre në vend dhe jo jashtë tij.

Shpresoj se jam përgjigjur pse “PO” dhe pse BE “TANI”. Debati është i hapur dhe pres që të diskutojmë dhe së bashku ta marrim vendimin më të mirë për ne dhe për fëmijët tanë, nipërit e mbesat, për një të sotme më të mirë dhe një të nesërme akoma më të mirë, për të gjithë ne, këtu, si pjesë e Evropës, së cilës i përkasim.

Related posts

Ali Ahmeti priti ambasadorin italian Silvestri: Ndërhyrja ndaj gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes së Ohrit rëndon situatën

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot  në Tetovë,  priti ambasadorin e Italisë në vendin tonë z. Andrea Silvestri. …

30 vjetori i UÇK-së, Ahmeti: Tre shkronjat e arta sollën kthesën historike në fatin e kombit shqiptar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka qëndruar në Prishtinë së bashku me veprimtarë të çështjes kombëtare e atdhetarë kanë…

Gjuha shqipe është vija që nuk duhet dhe nuk guxon të kapërcehet!

Teksa afrohet dita e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e Ligjit për Gjuhët, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paralajmëron edhe një…