Projektet strategjike në infrastrukturë dhe në tranzicionin energjetik ishin në fokusin e takimeve të ministrit Besimi me përfaqësuesit e BERZH-it dhe  IFC-së

Interesimi për përkrahjen e ciklit të investimeve që ka nisur Qeveria me projekte të mëdha strategjike në infrastrukturën e transportit dhe sektorin energjetik është shprehur në takimet e ministrit të Financave, Fatmir Besimi me përfaqësuesit e lartë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillimi dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare – IFC.

Në takimin e ministrit me nënkryetarin e parë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Jürgen Rigterink, u theksua se BERZH-i është institucioni financiar ndërkombëtar më aktiv në vendin tonë, që merr pjesë në sigurimin e mjeteve financiare për realizimin e projekteve publike dhe përkrah fuqishëm zbatimin e axhendës së reformave evropiane të vendit.

Ministri Besimi në këtë takim shprehu mirënjohje për përkrahjen nga kjo bankë, e cila merr pjesë në sigurimin e mjeteve financiare për projektin mbi ndërtimin e aksit të fundit të Korridorit Hekurudhor 8 drejt Bullgarisë, ndërtimin e vendkalimit të përbashkët kufitar në Tabanocë drejt Republikës së Serbisë, si dhe interkonektorin e gazit me Greqinë. Ky institucion financiar ndërkombëtar do të jetë partneri ynë i rëndësishëm në procesin e tranzicionit energjetik në energjinë e gjelbër, me ç’rast vendi do të ketë qasje në 85 milionë dollarë për realizimin e këtij lloji të projekteve.

Fokusi i takimit të ministrit Besimi me nënkryetarin rajonal të Korporatës Financiare Ndërkombëtare – IFC, Alfonso Garcia Mora, ishte përkrahja e projekteve lidhur me tranzicionin energjetik në vend drejt projekteve të gjelbra energjetike.

Në takim u bisedua për financimin e projekteve nga sektori energjetik, veçanërisht në shfrytëzimin e burimeve energjetike të ripërtërishme, zbatimin e procesit të dekarbonizimit, si dhe zgjerimin e rrjetet energjetike.

Ministri Besimi, në kuadër të takimeve vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore në Marok, pati takim edhe me investitorët e Bankës Amerikane, ku u prezantuan politikat makroekonomike të vendit, si dhe me Agjencinë e Zhvillimit Ndërkombëtar – IDA, pjesë e Grupit të Bankës Botërore. Republika e Maqedonisë së Veriut u bë vendi i 56-të anëtar donator në IDA, ku në këtë takim iu shpreh mirënjohje ministrit Besimi.

Gjatë pjesëmarrjes në Takimet Vjetore të FMN-së dhe BB-së, ministri i Financave, Fatmir Besimi, ka zhvilluar takime me përfaqësuesit e lartë të FMN-së dhe të Bankës Botërore, ku është shprehur konfirmimi dhe përkrahja e politikave që po zbaton vendi.

Në takimet me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të FMN-së, Bo Lee, drejtorin e FMN-së për Europën, Alfred Kamer, drejtorin ekzekutiv të FMN-së, Paul Hilbers, si dhe me drejtorin ekzekutiv alternativ, Luc Dresse, u potencua se vendi po zhvillon politika të mirëfillta makroekonomike dhe se ato krijojnë bazë solide për rritjen e potencialit të rritjes ekonomike.

Në takimet me Bankën Botërore u theksua se vendi ka pasur një partneritet jashtëzakonisht të rëndësishëm në 30 vitet e fundit dhe se  vazhdon me programin e  ri pesëvjeçar që synon vazhdimin e procesit të reformës në rrugën drejt qasjes së  anëtarësimit në BE dhe sigurimin e rritjes së qëndrueshme, rezistente dhe të gjelbër. Programi dhe përkrahja për politikat zhvillimore prej rreth 100 milionë eurove, që priten deri në fund të vitit, janë konfirmim i politikave dhe përpjekjeve të Qeverisë për konsolidim fiskal.

Related posts

Kryetari Ahmeti priti ambasadorin e Austrisë, Sh.T.Z. Martin Pammer në selinë e BDI-së

Tetovë, 22 korrik 2026 Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, priti në takim Ambasadorin e Austrisë në Republikën e Maqedonisë…

BDI: Shkelja e Rregullores cënon legjitimitetin e procesit ligjvënës

Shkup, 20 korrik 2026 BDI – Konferencë për media Arbana Pasholli – Deputete & Nënkryetare e BDI-së https://www.facebook.com/share/v/18xuxidQtt/?mibextid=wwXIfr

Dega Likovë mbajti Kuvendin Zgjedhor

Likovë, 19 korrik 2026 Sonte u mbajt Kuvendi Zgjedhor i Degës së BDI-së në Likovë, në praninë e Kryetarit të BDI-së, Ali…