Siguria kibernetike nuk është vetëm shqetësim për sistemet teknike dhe mbrojtjen e tyre nga sulmet, por edhe shqetësim për njerëzit si objektivë të mundshëm të sulmeve kibernetike, por në të njëjtën kohë edhe hallkë kyçe në sistemin e sigurisë kibernetike.
Këtë e theksoi Kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në fjalimin e tij në Konferencën vjetore të OSBE-së për Sigurinë Kibernetike/TIK të titulluar “Njerëzit, besimi, qëndrueshmëria: Ndërtimi i sigurisë kibernetike për të gjithë” që mbahet në Shkup.
“Teknologjia e informacionit dhe përdorimi i saj nuk na bën më pak njerëz. Kjo është arsyeja pse respektimi i plotë i të drejtave të njeriut duhet të jetë kusht pa të cilin nuk bëhet madje edhe në këtë sferë, në të cilën dominojnë makinat dhe fuqia e tyre”, tha Osmani në fjalën e tij.
Siguria kibernetike është pjesë përbërëse e konceptit të përgjithshëm për sigurinë e OSBE-së dhe pikërisht për shkak të këtyre arsyeve, Kryesimi ynë e ka vendos në lartë në agjendë sigurinë e sistemeve kibernetike/TIK.
“Gjatë vitit 2023, diskutimet tona për këtë temë kanë një qasje multisektoriale, duke përfshirë jo vetëm vendet pjesëmarrëse të OSBE-së dhe partnerët, por edhe sektorin privat, akademinë dhe shoqërinë civile. Në këtë drejtim, puna e OSBE-së për sigurinë kibernetike/TIK duhet të vendoset në kontekstin më të gjerë ndërkombëtar, duke përfshirë edhe punën e KB-së për sigurinë kibernetike. Si organizatë rajonale e OKB-së, OSBE-ja luan rol jetik në promovimin e dialogut, bashkëpunimit, besimit dhe ndërtimit të kapaciteteve për tu ballafaquar me sfidat e sigurisë kibernetike/TIK”, tha Osmani.
Osmani theksoi se qasja e përbashkët në ballafaqimin me kërcënimet kibernetike është edhe më e rëndësishme duke pasur parasysh se agresioni ushtarak rus kundër Ukrainës pos në terren zhvillohet edhe në hapësirën kibernetike, duke kërcënuar sigurinë e njerëzve përmes sulmeve kibernetike ndaj institucioneve qeveritare, objekteve energjetike, rrjeteve të komunikimit, spitaleve.
“Kjo luftë është sulm ndaj një kombi sovran, por edhe sulm ndaj parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe rendit të bazuar në rregulla mbi të cilat mbështetet bota jonë e ndërlidhur. Këto rregulla janë të aplikueshme edhe në hapësirën kibernetike”, tha Osmani.
Osmani theksoi se roli i vendeve pjesëmarrëse në OSBE është të ndryshojnë narrativën se asnjë vend nuk është imun ndaj sulmeve kibernetike dhe kjo mund të arrihet duke rritur bashkëpunimin dhe duke reduktuar rrezikun e keqperceptimit, përshkallëzimit dhe konfliktit.
“Muaji tetor i kushtohet ndërgjegjësimit për sigurinë kibernetike. Mbajtja e kësaj Konference në Shkup na vendos në hartën globale si mbështetëse e fortë e sigurisë kibernetike. Siç na mëson Muaji i Ndërgjegjësimit Kibernetik, për këtë qëllim, duhet të bashkohemi dhe t’i marrim masat e nevojshme për të qëndruar të sigurt në këtë botë gjithnjë e më të ndërlidhur”, tha Osmani.