Më lejoni të shpreh mirënjohje për mbajtjen tradicionale të këtij evenimenti të nivelit më të lartë parlamentar, në organizim të Kuvendit Nacional Hungarez dhe Kryetarit Laslo Kover, që është edhe një provë për përpjekjet që i bën Hungaria në dekadat e kaluara për integrimin e plotë evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kaluan më shumë se 20 vite nga samiti i parë në Selanik ku u konkludua se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, pas përmbushjes së kritereve të Kopenhagës. Republika e Maqedonisë së Veriut mori vendime të vështira, duke e pasur parasysh ardhmërinë e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve tanë. Marrëveshja për Miqësi, Fqinjësi të mirë dhe Bashkëpunim me Bullgarinë ishte mënyra për ndërtimin e besimit në zgjidhjen e çështjeve bilaterale dhe ne ishim dhe mbesim edhe më tej të përkushtuar ndaj implementimit të saj.
Pak para ardhjes sime në Budapest kisha nderin të mirëpres Kryetarin e Kuvendit Popullor të Republikës së Bullgarisë, Rosen Zheljazkov. Ne takohemi tani më për herë të tretë këtë vit dhe pres që vizitat të vazhdojnë në të ardhme, sepse në këtë mënyrë dërgojmë mesazhe për bashkëpunim më të madh parlamentar, për gatishmëri për bisedë të hapur dhe për futjen e rrjedhave të reja, të freskëta në politikën ndërmjet dy vendeve tona fqinje.
Faza finale e procesit të aderimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut i cili zgjat tani më 17 vite ka filluar dhe për ne është me rëndësi të veçantë të vazhdojmë të përparojmë në rrugën evropiane. Duke i pasur parasysh gjendjet aktuale politike dhe të sigurisë në rajon, sidomos rrethanat e ndryshuara gjeopolitike, nevoja për përshpejtimin e eurointegrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor është me rëndësi shumë të madhe.
Në drejtim të hapave konkrete të eurointegrimit, në rrjedhë është përfundimi i fazës së skriningut të legjislacionit tonë, dhe është konstatuar nivel i lartë i harmonizimit me legjislacionin evropian. Skriningu nuk është vetëm operacion teknik, por edhe proces transformues i cili ka të bëjë me të gjitha segmentet e shoqërisë.
Procesi i ndryshimeve kushtetuese si kusht për mbajtjen e konferencë së dytë ndër-qeveritare me Bashkimin Evropian dhe hapja e klasterëve të negocimit duhet të rrumbullakohet gjatë këtij viti. Konsideroj se tani është koha e vërtetë që të gjitha partitë politike të cilat zotohen për eurointegrim, të demonstrojnë përkushtimin e vet edhe në vepër.
Të dashur miq,
Edhe njëherë dua të sugjeroj se zgjerimi është një nga politikat më të mira të Unionit si nevojë gjeostrategjike dhe është investim afatgjatë për gjithë Evropën në kuptimin politik, të sigurisë dhe atë ekonomik. Është mekanizëm i mirë për përparim dhe shpërblime, që na motivon si vende ti zbatojmë reformat e kërkuara në afatet e parashikuara, rezultati i fundit i të cilave do të duhet të jetë anëtarësimi i plotfuqishëm në Union. Besoj se si shtete kemi treguar se mund të ballafaqohemi me sfidat e procesit të integrimit me çka konfirmuam se jemi partnerë seriozë në këtë projekt të përbashkët.
Të nderuar kolegë,
Si vend-kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Republika e Maqedonisë së Veriut beson se institucionet e Unionit do e mbajnë perspektivën e zgjerimit me të gjitha vendet tjera kandidate, si proces i besueshëm dhe i dukshëm i bazuar mbi merita. Posaçërisht është e rëndësishme BE-ja mos e zhvendosë fokusin nga Ballkani Perëndimor dhe të veprojnë si një forcë rajonale kohezive, dhe mos e shtyjë integrimin e pjesëve të rajonit të vet gjeografik.
Të nderuar kolegë,
Bashkësinë politike Evropiane e shohim si një forum të ri të dialogut në nivel të lartë për çështjet evropiane gjeostrategjike, por edhe si platformë e cila u jep mundësi vendeve të Ballkanit Perëndimor të përmirësojnë bashkëpunimin rajonal dhe ti ndajnë praktikat më të mira. Në kontekst të realiteteve të reja gjeopolitike, Maqedonia e Veriut zotohet për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, përmes përshpejtimit të proceseve euroatlantike dhe eurointegruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që janë prioritetet tona në politikën e jashtme dhe të sigurisë.
Dëshiroj të përshëndes ndihmën e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për mbështetjen e reformave përmes Instrumentit të Ndihmës Paraaderuese (IPA), dhe aktualisht Planin e ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor, si burime kryesore të financimit, me qëllim primar për mbështetjen e rritjes ekonomike dhe përshpejtimin e konsiderueshëm të afrimit dhe integrimit socio-ekonomik në tregun e vetëm të Unionit para anëtarësimit, në rast se përmbushen kushtet e duhura.
Në fund, e vlerësoj me optimizëm momentin pozitiv dhe afatin e nënvizuar për zgjerimin e mëtejmë të Bashkimit Evropian deri në vitin 2030 me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ju faleminderit për vëmendjen!