Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, realizoi takim me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në të cilën shprehën pritjet se Republika e Maqedonisë së Veriut së shpejti do të bëhet vend-anëtar i BE-së, duke shfaqur gatishmëri dhe vizion që të gjithë faktorët politikë në vend të kontribuojnë në ardhmërinë e ndritur të qytetarëve të këtij vendi, të gjeneratave aktuale dhe të ardhshme.
Siç njoftojnë nga pres-shërbimi qeveritar, në takim ishin të pranishëm edhe nënkryetarët e Kuvendit, Goran Misovski dhe Hysni Ismaili, ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, Dane Taleski, koordinatorët e grupeve parlamentare të LSDM-së, Jovan Mitreski, VMRO DPMNE-së, Nikola Micevski, BDI-së, Arbër Ademi, Aleancës për Shqiptarët, Atnan Neziri dhe sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Cvetanka Ivanova.
Kryetari Xhaferi, në emër të deputetëve të Kuvendit, i uroi sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Stoltenbergut, mirëseardhje të ngrohtë në dhomën ligjvënëse, dhe i falënderoi për kultivimin e raportit të përkushtuar ndaj çdo vendi aleat në Aleancë, por edhe ndaj vendeve aspirante.
Ai e informoi bashkëbiseduesin për obligimet e ndërmarra dhe të realizuara të shtetit si NATO aleat në ndihmën solidare dhe ushtarake ndaj Ukrainës, për bashkëngjitjen ndaj sanksioneve për Rusinë, si edhe për dënimin e pretendimeve territoriale dhe aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë.
Kuvendi jonë ishte ndër të parët që e formoi Grupin Parlamentar Ndër-Partiak për mbështetjen e Platformës së Krimesë, përmes aktiviteteve të së cilës japim mbështetje pa rezervë edhe në planin ndërkombëtar.
Sekretari i përgjithshëm Stoltenberg, falënderoi për mundësinë e dhënë të ndajë qëndrimet për sfidat aktuale të sigurisë, tani kur pritet nga të gjithë aleatët në NATO të qëndrojnë fortë krahë për krahu bashkë në këtë botë të paparashikueshme, për tu mbrojtur dhe të mbrojnë nga atakët. Drejtoi urime për vendin tonë për guximin dhe vizionin që solli deri në anëtarësimin e saj të plotfuqishëm në NATO, që mundësoi jo vetëm siguri të qytetarëve të saj, por edhe stabilitet dhe rritje ekonomike të shtetit. E lavdëroi Maqedoninë e Veriut për ndihmën solidare për Ukrainën, për ndarjen e 2% të BPV-së për mbrojtjen, si edhe për kontributin në misionet e NATO-s, që vlerësohet lartë nga ana e të gjithë aleatëve në NATO.