Kryeparlamentari Xhaferi priti në takim MPJ Igli Hasani

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot realizoi takim me Igli Hasanin, ministër i Evropës dhe Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, në suazat e vizitës së tij zyrtare në vendin tonë.

Kryetari Talat Xhaferi theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Shqipërisë ndajnë qëllime dhe interesa të përbashkëta në planin e jashtëm politik në lidhje me anëtarësimin në Bashkimin Evropian, bashkëpunimin në kuadër të NATO-s dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal. Intensiteti i vizitave të realizuar dypalëshe në të gjitha nivelet, sipas Xhaferit është një nga treguesit më të mirë për raportet e shkëlqyera midis dy shteteve.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut theksoi se të dyja vendet mbështesin njëra-tjetrën në të gjitha fushat dhe pas përfundimit të procesit të skriningut, janë të gatshme të përshpejtojnë integrimin e tyre evropian. Ai nënvizoi rëndësinë e jashtëzakonshme të ndërlidhjes dhe theksoi se ndërtimi i Korridorit 8 mbetet prioritet në bashkëpunim.

Xhaferi iu referua kryesimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut me organizatën më të madhe rajonale të sigurisë OSBE-n në vitin 2023 dhe kryesimit aktual të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, që paraqet mundësi për takime shtesë dhe përmirësim të mëtejshëm të bashkëpunimit, si midis të dy vendeve ashtu edhe midis të dy kuvendeve.

Ministri Igli Hasani theksoi se marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut karakterizohen nga dialogu dhe bashkëpunimi politik intensiv në një numër të konsiderueshëm të fushave me interes të përbashkët. Duke iu referuar integrimeve evropiane, Hasani theksoi se të dyja vendet treguan përkushtim të veçantë dhe arritën rezultate mbresëlënëse në procesin e skriningut, me mbështetje dhe ndihmë reciproke.

Ministri i Evropës dhe Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë vlerësoi se me kryesimin e suksesshëm të OSBE-së dhe nismave të tjera rajonale, Maqedonia e Veriut është dëshmuar si një partner serioz ndërkombëtar. Njëkohësisht, ai shprehu shpresën se zgjedhjet e ardhshme në vend nuk do të sjellin ndryshim të përkushtimit për të ardhmen evropiane.

Hasani e uroi Xhaferin, i cili është propozuar si Kryeministër i parë shqiptar në historinë e Maqedonisë së Veriut dhe vlerësoi se ky është një konfirmim i përparimit që ka bërë vendi, si dhe i rolit konstruktiv të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut në proceset politike dhe stabilitetin e vendit dhe rajonit.

Xhaferi dhe Hasani vlerësuan se nevojiten përpjekje shtesë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, i cili mbetet pas mundësive reale të dy shteteve. Ata shprehën bindjen se partneriteti shumëvjeçar midis dy shteteve dhe tendenca pozitive e zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit në shumë fusha me interes të ndërsjellë do të përparojë edhe më tej.

Related posts

Ali Ahmeti priti ambasadorin italian Silvestri: Ndërhyrja ndaj gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes së Ohrit rëndon situatën

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot  në Tetovë,  priti ambasadorin e Italisë në vendin tonë z. Andrea Silvestri. …

30 vjetori i UÇK-së, Ahmeti: Tre shkronjat e arta sollën kthesën historike në fatin e kombit shqiptar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka qëndruar në Prishtinë së bashku me veprimtarë të çështjes kombëtare e atdhetarë kanë…

Gjuha shqipe është vija që nuk duhet dhe nuk guxon të kapërcehet!

Teksa afrohet dita e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e Ligjit për Gjuhët, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paralajmëron edhe një…