Osmani: Maqedonia e Veriut – bashkësponsore e Rezolutës së OKB-së për përkujtimin e gjenocidit në Srebrenicë

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot mbajti një konferencë për media në të cilën informoi se Republika e Maqedonisë së Veriut është bashkë-sponsorizore e Rezolutës së OKB-së me titull “Dita Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë në vitin 1995” dhe në të cilën një nga pikat kryesore është përcaktimi i ditës për përkujtim të masakrës së Srebrenicës, më 11 korrik çdo vit.

Rezoluta u propozua nga Bosnjë dhe Hercegovina, fillimisht e bashkë-sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania. E njëjta do t’i paraqitet Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 17 prill 2024 dhe do të votohet më 2 maj 2024.

Ministri Osmani kërkoi mbështetje nga të gjitha shtetet anëtare të OKB-së për Rezolutën, duke thënë se Rezoluta duhet të miratohet më 2 maj 2024: “Duke iu referuar Kartës së OKB-së, Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimeve të Gjenocidit, duke u kujtuar shteteve përgjegjësinë e tyre për të mbrojtur civilët, dhe për të respektuar, mbrojtur dhe garantuar të drejtat e njeriut në territorin e tyre, duke iu referuar Vendimit të Këshillit të Sigurimit nr. 819 të datës 16 prill 1993 me të cilin Srebrenica shpallet zonë e sigurtë, Rezolutës 827 të 25 majit 1993, në lidhje me themelimin e një gjykate ndërkombëtare për krimet në ish-Jugosllavi, duke iu referuar vendimeve të Tribunalit, tetë dënimet për krime kundër muslimanëve boshnjakë, Vendimit të 19 prillit 2004 kundër Krstiqit, 8 qershor 2021 kundër Mlladiçit, 20 mars 2019 kundër Karaxhiqit dhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë më 26 shkurt 2007 për të përcaktuar krimin e Srebrenicës si gjenocid, në vazhdën e 30-vjetorit të gjenocidit, i cili do të përkujtohet në vitin 2025, ku humbën jetën të paktën tetë mijë e treqind e shtatëdhjetë e dy jetë dhe po aq familje u shkatërruan”.

Gjithashtu, Osmani theksoi se kjo Rezolutë u bën thirrje të gjitha vendeve anëtare të OKB-së që ta dënojnë pa rezerva gjenocidin, t’i ruajnë faktet dhe t’i përhapin ato nëpër sistemin arsimor duke zhvilluar programe të veçanta për përkujtim, rishikim dhe parandalim të të njëjtit; bën thirrje për dënimin e çdo mohimi që gjenocidi ka ndodhur në Srebrenicë; ndëshkim të të gjithë personave që glorifikojnë personat e dënuar për krime lufte; përfundim të procesit të gjetjes dhe identifikimit të viktimave të mbetura të gjenocidit; që të gjitha vendet të përmbushin plotësisht detyrimet e tyre sipas Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, i bën thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së të krijojë një program të OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë, me fillimin e aktiviteteve për të shënuar 30 vjetorin e gjenocidit, ndërsa për Rezolutën të informohen të gjitha vendet anëtare, organizatat në sistemin e OKB-së dhe shoqëria civile, akademia dhe të tjerët që të respektojnë Ditën Ndërkombëtare, si dhe aktivitete të veçanta për nder të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë në vitin 1995.

Deri më tani, Rezoluta është mbështetur nga më shumë se 17 vende, duke përfshirë Slloveninë, Italinë, Lihtenshtajnin, Irlandën, Finlandën, Holandën, Shqipërinë, Turqinë, Jordaninë, Malajzinë, Kilin, Zelandën e Re etj.

Related posts

Ali Ahmeti priti ambasadorin italian Silvestri: Ndërhyrja ndaj gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes së Ohrit rëndon situatën

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot  në Tetovë,  priti ambasadorin e Italisë në vendin tonë z. Andrea Silvestri. …

30 vjetori i UÇK-së, Ahmeti: Tre shkronjat e arta sollën kthesën historike në fatin e kombit shqiptar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka qëndruar në Prishtinë së bashku me veprimtarë të çështjes kombëtare e atdhetarë kanë…

Gjuha shqipe është vija që nuk duhet dhe nuk guxon të kapërcehet!

Teksa afrohet dita e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e Ligjit për Gjuhët, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paralajmëron edhe një…