Motra dhe vëllezër!
Çdo gjë e ka një fillim. Çdo gjë fillon me një ëndërr. Të gjithë ne kemi
ëndrrat tona, për fëmijët tanë, për veten tonë, për vendin.
Ne shqiptarët, kemi ëndërruar për liri, për barazi dhe luftuam që kjo
ëndërr të bëhet e vërtetë.
Sepse kur besojmë në diçka, ne jemi të gatshëm të sakrifikojmë gjithçka.
Si shqiptarë, ne kemi ditur gjithmonë se si të bashkohemi për qëllimet e
përbashkëta, kur ka qënë e rëndësishme dhe vendimtare, gjatë luftës,
gjatë krizës dhe gjatë përpjekjeve tona të pandalura për barazi dhe
integrim.
Kjo është arsyeja pse ne, bashkarisht, kemi arritur shumë në historinë
tonë si shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
Marrëveshja e Ohrit është duke u zbatuar. Gjuha shqipe tashmë gëzon
status të barabartë dhe formal ashtu si edhe flamuri jonë kombëtar.
Marrëveshja e Prespës është nënshkruar dhe kushtetuta është ndryshuar.
Ne jemi anëtarë të plotë të NATOsë dhe po negociojmë për anëtarësim në
Bashkimin Europian.
Sot, më shumë se kurrë, shqiptarët drejtojnë poste udhëheqëse si
gjyqtarë të gjykatës supreme dhe kushtetuese, ministritë e mbrojtjes dhe
të punëve të brendshme si dhe institucionet kyce shtetërore bashkë edhe
me kryetarin e parlamentit.
Sidoqoftë, kjo nuk mjafton. Tani është koha për vazhdim të ëndrrës. Për
ëndrra më të mëdha, sepse erdhi koha për të arritur edhe më shumë.
Maqedonia e Veriut është vendi ynë. Vendi për të cilin kemi luftuar.
Ne kemi një pjesë të barabartë në historinë, trashëgiminë, në ekonominë
dhe në të ardhmen e vendit tonë.
Tani është koha për barazi të plotë, për marrje të përgjegjësisë për të
prirë!
Eshtë koha për kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut!
Disa mund ta quajnë këtë ide të parealizueshme. Disa mund edhe ta
përqeshin besimin tonë në realizimin e ëndrrës së shumë shqiptarëve.
Kjo, megjithatë është diçka e mirë . Kur dikush ta mohon ëndrrën, të
bën që të punosh akoma më shumë për ta realizuar.
Kur ëndërronim për lirinë në vitin 2001, po e njejta kategori e njerëzve
gjithashtu u tallën dhe ngritën flamurin e bardhë. Dhe nëse vetëm disa
vjet më parë do t’iu thoshim, se do të vinte dita, kur Kryetari i
parlamentit të Maqedonisë së Veriut do të ishte shqiptar, shumë prej
tyre nuk do ta besonin ashtu siç nuk besojnë edhe sot.
Sigurisht, shumë njerëz nuk do të kishin besuar gjithashtu, se gjuha
shqipe do të ishte një gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut ose që
flamuri do të valonte i lirë dhe që do të kishim tre universitete në
gjuhën shqipe. Por ne, ca prej nesh që guxuan të synojnë realizimin e
ëndrrave, e dinim se mund t’ia dilnim. Ne e arritëm këtë së bashku. Siç
do të bëjme edhe tani.
Së bashku, ne do të shkruajmë historinë për ta bërë ardhmërinë. Së
bashku mund t’i tregojmë botës, se vendi ynë mund të jetë me të vërtetë
një shoqëri, ku të gjithë mund të realizojnë ëndrrat e tyre dhe të
ndjehen të barabartë. Një vend ku një shqiptar ose një shqiptare mund të
bëhet Kryeministër dhe të jetë udhëheqës i denjë që garanton
partneritetin e përhershëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe
Bashkimin Europian.
Kjo është ajo që dua t’u mundësojë fëmijëve dhe nipërve e mbesave tona:
Besimi se ne mund të arrijmë gjithçka që ëndërrojmë.
Dhe për këtë, duhet të bëhemi bashkë!
Kjo ide është shumë më e madhe se çdo parti apo cilido person. Kjo ide
nuk ka të bëjë me BDI-në dhe sigurisht jo me mua. Une jam këtu për tia
vazhduar jetën procesit, që ti prij konceptit, që të bëhem urë dhe të
shtroj rrugë duke krijuar rrethanat për realizimin e ëndrrës, ndërsa ju
mbetet juve që ta zbatoni. Unë po mbjell, që ju të korrni. Unë po
ëndërroj që ju të realizoni. Unë po guxoj që ju ta bëni.
Kur jemi bashkë, jemi shumë të fuqishëm.
Kjo është një kauzë kombëtare shqiptare. Kjo është ëndrra jonë
kombëtare. Endrra e barazisë së plotë, ëndrra e një shoqërie që fjalët i
kthen në vepra.
Kryeministri i parë shqiptar do të jetë një Kryeministër për të gjithë.
Një Kryeministër i barazisë: Vendeve të barabarta të punës, pagave të
barabarta. Të drejtave të barabarta dhe i drejtësisë joselektive. Për
shqiptarët dhe për të gjithë. Kryeministri i parë shqiptar do të
udhëheqë një gjeneratë të re të politikës, duke përfaqësuar një shoqëri
të barabartë dhe duke udhëhequr Maqedoninë e Veriut drejt një të
ardhmeje të begatë si vend anëtar i NATOsë dhe i Bashkimit Europian.
Një Kryeministër, i cili unifikon dhe që do të nis një epokë të re, jo
vetëm në historinë shqiptare, por edhe në historinë e Maqedonisë së
Veriut, madje edhe në historinë e Europës.
Tani eshte koha. Eshtë koha për t’u bashkuar, koha për të vepruar
përsëri së bashku. Kjo është një thirrje për të gjitha partitë shqiptare
dhe të gjithë qytetarët shqiptarë dhe të tjerët, për të mbështetur
kauzën tonë, e cila është më e madhe se të gjithë ne.
Tani është koha për ta bërë së bashku historinë. Nuk është thjesht një
ëndërr; është shansi ynë. Është shansi ynë të ndërtojmë një shoqëri të
re, në të cilën fëmijët tanë mund të arrijnë gjithçka që ëndërrojnë.
Është koha për kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Për ne, për fëmijët tanë dhe për kombin.
Mos e humbisni guximin për të ëndërruar, mos i shuani ëndrrat e juaja,
besoni në veten tuaj dhe ëndrrat do të realizohen.