Anëtar i zgjedhur i Këshillit të Përgjithshëm
Arben Qerimi

Arben Qerimi ka lindur më 10 qershor 1970 në Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut. Është i martuar dhe baba i dy fëmijëve.
Sa i përket nivelit arsimor, shkollën fillore e ka përfunduar në Sh.F. “Liria” në Shkup, ndërsa arsimin e mesëm në Gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup. Studimet e larta i ka nisur në Universitetin “Shën Qirili dhe Metodi” në Shkup, në Fakultetin e Ndërtimtarisë – dega Gjeodezi (studime 5-semestrale), ku në vitin 1997 ka marrë titullin Inxhinier i Gjeodezisë (shkalla VI/1).
Studimet deridiplomike i ka përfunduar po në Fakultetin e Ndërtimtarisë, dega Gjeodezi, në Universitetin “Shën Qirili dhe Metodi” në Shkup, në vitin akademik 2009/2010, duke fituar titullin Inxhinier i diplomuar i Gjeodezisë.
Studimet pasdiplomike i ka vazhduar në të njëjtin universitet, në drejtimin Gjeodezi, të cilat i ka përfunduar në vitin akademik 2015/2016. Në këtë kuadër ka mbrojtur publikisht temën e magjistraturës me titull:
“Aplikimi i sistemit të aprovimit të lejeve elektronike në funksion të rregullimit dhe menaxhimit të patundshmërive në vetëqeverisjen lokale në R. e Maqedonisë”, duke fituar titullin Magjistër i shkencave teknike në fushën e Gjeodezisë, me notë mesatare 9.33.
Në aspektin profesional është i pajisur me licencën “Gjeodet i autorizuar”, me nr. protokolli 04-1381/4, datë 14.02.2007.
Në karrierën e tij profesionale, ka mbi 27 vite përvojë në administratën publike, në disa institucione shtetërore. Gjatë kësaj periudhe është shquar për kontributin e tij në fushën e administrimit të pronave dhe shërbimeve kadastrale. Ka ndërtuar një karrierë të qëndrueshme, duke avancuar nga referent i pavarur në pozita udhëheqëse, si: udhëheqës njësie, ndihmës-sektori dhe udhëheqës sektori.
Gjatë angazhimit të tij në Kadastër, ka mbajtur edhe funksionin e zëvendësdrejtorit në periudhën 2020–2024, ku ka pasur rol të rëndësishëm në koordinimin e proceseve institucionale dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët. Puna e tij karakterizohet nga përkushtimi ndaj ligjshmërisë, menaxhimit profesional, forcimit të kapaciteteve institucionale dhe lehtësimit të proceseve që lidhen me pronësinë dhe dokumentacionin kadastral.
Posedon aftësi të zhvilluara për punë me dokumentacion tekstual, si dhe aftësi menaxheriale, organizative dhe për punë në ekip. Dallohet për komunikim efektiv, zgjidhje të shpejtë të problemeve dhe menaxhim të situatave konfliktuoze gjatë ushtrimit të detyrave.
Në aspektin e teknologjisë informative, ka njohuri të mira në përdorimin e programeve kompjuterike si Microsoft Office (Word, Excel, PowerPoint), si dhe softuerëve të avancuar në fushën e gjeodezisë dhe punëve kadastrale, përfshirë përgatitjen e raporteve profesionale bashkëkohore.
Sa i përket projekteve profesionale, gjatë angazhimit në Agjencinë për Kadastër ka marrë pjesë aktive në zhvillimin dhe implementimin e disa sistemeve kyçe, si:
- E-Kat dhe E-Kat Grafika, sisteme që kanë digjitalizuar shërbimet kadastrale;
- DMS (Document Management System);
- Projekti për digjitalizimin e planeve përmes “Mak-Edit System”;
si dhe projekte të tjera të rëndësishme.
Në aspektin gjuhësor, flet rrjedhshëm gjuhën shqipe dhe maqedonase, ndërsa zotëron njohuri mesatare në gjuhën angleze, turke dhe sërbo-kroate.
Është anëtar i Këshillit të Gjeodetëve të Europës (Council of European Geodetic Surveyors – CLGE) dhe ka qenë pjesëmarrës në konferenca dhe punëtori rajonale dhe ndërkombëtare në fushën e gjeodezisë, në vende si Mali i Zi, Sllovenia, Kroacia, Holanda, Turqia, Gjermania, Austria, Spanja etj.
Në aspektin politik, është aktiv në strukturat e Bashkimit Demokratik për Integrim, ku ushtron funksionin e nënkryetarit të Degës së Butelit, ndërsa nga dhjetori i vitit 2025 është zgjedhur anëtar i Këshillit të Përgjithshëm.

5 Comments