Këshilli i Përgjithshëm

Anëtare e zgjedhur e Këshillit të Përgjithshëm

Shiret Elezi

Prof. Dr. Shiret Elezi ka lindur më 20.03.1981 në Frankfurt/Main, Gjermani. Ajo është profesoreshë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ku ligjëron në lëndët: financat publike, bazat e financave, financat lokale, etj.

Është anëtare e BDI-së nga viti 2006. Nga prilli 2016 deri në maj 2017, ajo ishte Ministre e Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa nga qershori 2017 deri në shtator 2020 ishte Zëvendësministre e Financave në Ministrinë e Financave. Gjatë kësaj periudhe, ajo inicioi dhe kontribuoi në një sërë reformash në politikën fiskale në vend, veçanërisht në procesin e buxhetimit, ku u përgatitën ligje dhe akte nënligjore në përputhje me direktivat e BE-së, si dhe programe të reja për reforma në menaxhimin e financave publike.

Përvoja e saj në fushën e financave publike dhe qeverisjes lokale bëri që ajo të angazhohej edhe si këshilltare speciale në kabinetin e Ministrit të Financave, si dhe si koordinatore kombëtare për avancimin e decentralizimit fiskal, deri në prill 2024.

Ajo ka marrë gjithashtu mirënjohje për punën e saj në reformat e zbatuara në fushën e financave publike dhe qeverisjes vendore nga Ambasadorja e UNDP-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut, znj. Narine Sakarian, në vitin 2021, si dhe në vitin 2017 nga znj. Helen Elizabeth Clark, ish-Administratore e Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara dhe gruaja e parë që mbajti këtë pozicion në OKB, e cila më parë kishte qenë Kryeministre e Zelandës së Re për nëntë vjet.

Përshkrim i shkurtër i arsimit::

Ajo përfundoi arsimin e mesëm në Shkollën e Mesme “Gostivar” – Gostivar (atëherë SU “Pance Popovski”), ku u shpall studente e gjeneratës. Në vitin 2004, u diplomua në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, si studente e gjeneratës, për çka u nderua me diplomë të veçantë nga Rektori i Universitetit.

Në vitin 2009 fitoi titullin Magjistër i Shkencave Ekonomike, ndërsa në dhjetor 2011 mori titullin Doktor i Shkencave Ekonomike në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.

Nga maji 2009 deri në prill 2016, ishte udhëheqëse e sektorit për buxhet dhe financa në Komunën e Gostivarit.

Që nga viti 2011, ligjëron në Fakultetin Ekonomik në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ndërsa nga tetori 2025 mban thirrjen Profesor ordinar në fushën e financave.

Është autore dhe bashkautore e punimeve shkencore të publikuara në revista vendore dhe ndërkombëtare. Ka marrë pjesë në konferenca shkencore ndërkombëtare dhe vendore (në Itali, Belgjikë, Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë, Hungari, Gjeorgji, SHBA dhe vende të tjera), të organizuara nga NALAS, UNDP, Banka Botërore, USAID, OKB, Komisioni Evropian dhe institucione të tjera.

Zotëron disa gjuhë të huaja. Prof. Dr. Shiret Elezi është gjithashtu autore e disa librave.

Related posts

Kryetari Ahmeti priti deputetin Vengu në sëlinë e BDI-së

Tetovë, 12 maj 2026 Kryetari Ali Ahmeti takoi z. Pirro Vengu, ish-Ministër i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe deputet i Kuvendit…

Këshilli i Përgjithshëm

Anëtare e zgjedhur e Këshillit të Përgjithshëm Shqipdona Mazari Shqipdona Mazari është lindur në Strugë. Ajo është një studente e përkushtuar dhe…

Këshilli i Përgjithshëm

Anëtar i zgjedhur i Këshillit të Përgjithshëm Gazmend Mehmedi Gazmend Memedi, i lindur më 19 qershor 1982 në Gostivar, rrjedh nga fshati…