Këshilli i Përgjithshëm

Anëtare e zgjedhur e Këshillit të Përgjithshëm

Shqipe Sakipi

Shqipe Sakipi ka lindur më 8 mars 1985. Shkollën fillore e kreu në SH.F.K. “Faik Konica” në fshatin Sllupçan. Arsimin e mesëm e përfundoi në gjimnazin e përgjithshëm “Goce Dellçev”, në paralelet e ndara në Likovë, si pjesë e gjeneratës së parë të këtij gjimnazi, i cili sot mban emrin e heroit kombëtar “Ismet Jashari” – Likovë.

Studimet universitare i kreu në Fakultetin Pedagogjik “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup, në drejtimin grupi klasor. Pas përfundimit me sukses të studimeve, u punësua si mësimdhënëse në SH.F.K. “7 Marsi” në fshatin Opajë, në komunën e Likovës. Në këtë institucion arsimor vazhdon të punojë edhe sot, duke dhënë një kontribut të vazhdueshëm në rritjen dhe zhvillimin e arsimit cilësor në komunën e Likovës, me përkushtim të veçantë ndaj edukimit dhe formimit të brezave të rinj.

Përveç angazhimit në arsim, Shqipe Sakipi është dalluar edhe në fushën e sportit. Që në moshë të re u regjistrua në klubin e karatesë “Besa” në Sllupçan, ku arriti suksese të shumta si karateiste, duke fituar çmime në gara të nivelit republikan. Në vitin 1998 arriti titullin 1-Dan (Sho-Dan), përkatësisht brezin e zi. Në vitin 1999 u shpall “Sportistja e Vitit”, duke u bërë për herë të parë një sportiste femër që merr këtë vlerësim në komunën e Likovës.

Gjithashtu, për disa vite ishte anëtare aktive e shoqërisë kulturore-artistike “Jeta e Re” në Sllupçan, duke kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e kulturës dhe traditës.

Gjatë luftës së vitit 2001 në Republikën e Maqedonisë, në moshën 17-vjeçare, ajo iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), duke shërbyer në njësitin e Policisë Ushtarake.

Aktivitetin politik e filloi që nga themelimi i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në vitin 2002, si anëtare e Forumit Rinor Qendror në nivel republikan. Më pas, pa ndërprerë, e vazhdoi angazhimin e saj në Forumin e Gruas në komunën e Likovës. Në Kongresin V të BDI-së u zgjodh anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të partisë.

Në jetën e saj profesionale dhe shoqërore, ajo është përkushtuar vazhdimisht ndaj arsimit, sportit, kulturës dhe angazhimit qytetar, me theks të veçantë në fuqizimin dhe përfshirjen e grave në aktivitete të ndryshme shoqërore.

Shqipe Sakipi është e martuar dhe nënë e tre fëmijëve.

Related posts

Kryetari Ahmeti priti deputetin Vengu në sëlinë e BDI-së

Tetovë, 12 maj 2026 Kryetari Ali Ahmeti takoi z. Pirro Vengu, ish-Ministër i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe deputet i Kuvendit…

Këshilli i Përgjithshëm

Anëtare e zgjedhur e Këshillit të Përgjithshëm Shqipdona Mazari Shqipdona Mazari është lindur në Strugë. Ajo është një studente e përkushtuar dhe…

Këshilli i Përgjithshëm

Anëtar i zgjedhur i Këshillit të Përgjithshëm Gazmend Mehmedi Gazmend Memedi, i lindur më 19 qershor 1982 në Gostivar, rrjedh nga fshati…