Anëtare e zgjedhur e Këshillit të Përgjithshëm
Nora Muaremi

Nora Muaremi, e lindur në vitin 1989 në Tetovë, ka përfunduar arsimin fillor në SHF “Kirili dhe Metodi” në Tetovë, ndërsa arsimin e mesëm në Gjimnazin “Kirili Pejçinoviq” në Tetovë.
Studimet universitare i ka përfunduar në vitin 2013 në Fakultetin Ekonomik pranë Universitetit të Tetovës, në drejtimin Kontabilitet dhe Financa. Aktualisht është në prag të përfundimit të studimeve të ciklit të dytë (master) në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL), në drejtimin Financa.
Karriera e saj profesionale karakterizohet nga një ndërthurje e përvojës në sektorin civil, atë privat dhe në institucionet publike. Për katër vite ka qenë e angazhuar në organizatën joqeveritare “Forumi i Gruas” në Tetovë, ku ka kontribuar në mënyrë aktive në realizimin e projekteve, trajnimeve dhe iniciativave që synojnë fuqizimin e gruas dhe avancimin e rolit të saj në shoqëri. Përvoja e saj në sektorin privat, përgjatë një periudhe pesëvjeçare, i ka mundësuar të zhvillojë më tej aftësitë menaxheriale dhe ekspertizën në çështjet financiare dhe organizative.
Që nga viti 2024, ajo është e angazhuar në SHA ESM, ku ushtron funksionin e Koordinatores për Çështje Komerciale dhe Financiare, duke dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në menaxhimin dhe koordinimin e proceseve financiare e komerciale në një nga institucionet kyçe të sektorit energjetik në vend. Nga viti 2023 është anëtare e Këshillit Drejtues të Konviktit Shtetëror në Tetovë, ndërsa nga viti 2025 shërben edhe si anëtare e Komisionit për Financa pranë Këshillit Komunal të Tetovës.
Përveç angazhimit profesional, Nora Muaremi është aktive edhe në jetën politike dhe shoqërore. Që nga viti 2022, ajo është pjesë e strukturave partiake, ku, përmes procesit demokratik “një anëtar – një votë”, është zgjedhur anëtare e degës së Tetovës. Në vijim, është emëruar në funksionin e Sekretares për Mundësi të Barabarta, duke u angazhuar në promovimin e barazisë gjinore, përfshirjes dhe fuqizimit të grave në vendimmarrje.
Nora Muaremi është e martuar dhe nënë e dy vajzave.
