Anëtar i zgjedhur i Këshillit të Përgjithshëm
Shpend Ahmeti

Shpend Ahmeti është i angazhuar në mënyrë aktive në strukturat e Bashkimit Demokratik për Integrim, ku më herët ka shërbyer si anëtar i Kryesisë së Forumit Rinor, duke kontribuar në organizimin dhe përfaqësimin e të rinjve brenda subjektit politik.
Në aspektin profesional, ai ka ndërtuar një karrierë të qëndrueshme në sektorin financiar. Që nga viti 2016, ushtron detyrën e Analistit në Departamentin e Operacioneve në Tregjet Financiare pranë Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku është i përfshirë në analizën dhe monitorimin e zhvillimeve në tregjet financiare. Paralelisht, në periudhën 2021–2023, ka shërbyer si Këshilltar i Lartë për Financa i Ministrit në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, duke kontribuar në çështje financiare dhe në hartimin e politikave dhe planeve strategjike.
Sa i përket formimit akademik, ai ka përfunduar studimet master në drejtimin “Ekonomi Monetare, Financa dhe Banka”, si dhe studimet deridiplomike në “Menaxhim Financiar” në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. Ekspertiza e tij profesionale është thelluar më tej përmes një sërë trajnimesh dhe specializimesh ndërkombëtare, përfshirë trajnimet në Bankën Botërore në Uashington, DC, me fokus në menaxhimin e rrezikut të instrumenteve me norma fikse kthimi. Gjithashtu, ka ndjekur programe të avancuara pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar (IMF) dhe Institutit të Përbashkët të Vjenës (JVI), ku ka zgjeruar njohuritë në analizën e tregjeve financiare, instrumentet financiare, menaxhimin e flukseve të kapitalit dhe politikat e sektorit financiar.
Në jetën personale, Shpend Ahmeti është i martuar dhe prind i një vajze.
