Kandidati për Kryeministër të parë shqiptar Naser Ziberi sot në Komunën
e Tetovës realizoi takim me Kryetaren e Komunës Teuta Arifi, ku morën
pjesë edhe kryetarë të komunave të tjera siç janë Hekuran Duka Kryetar i
Komunës së Dibrës, Visar Ganiu Kryetar i Komunës së Çairit dhe Erkan
Arifi Kryetar i Komunës së Likovës: Në takim u diskutua rreth
angazhimeve të tij si kryeministër për një zhvillim më të shpejtë të
rajoneve të cilat janë më së shumti të prekura nga shpërngulja e të
rinjve.
“Më të prekura nga migracioni janë rajonet. Të rinjtë shpërngulen në
Shkup dhe jashtë vendit, duke braktisur rajonet për shkak të mungesës së
mundësive dhe mungesës së infrastrukturës. Këtu duhet të veprojmë – dhe
jo vetëm në nivel të centralizuar, por së bashku me komunat” theksoi
Ziberi.
Gjatë vizitës Ziberi me Kryetaren e Komunës së Tetovës Teuta Arifi, të
Dibrës Hekuran Duka, të Çairit Visar Ganiu dhe të Likovës Erkan Arifi,
nënshkruan një “Memorandum për ardhmërinë” me të cilin merren
përgjegjësi për trajtimin e decentralizimit fiskal për zhvillim të
balancuar rajonal, për t’u siguruar që komunat do të kenë në dispozicion
buxhet më të madh për projekte të rëndësishme infrastrukturore.
“Memorandumi parasheh rritje të të ardhurave nga taksat për komunat:
TVSH nga 4.5% në 9%, dhe të taksave personale nga 3% në 9%; rishikim të
metodologjisë për shpërndarjen e taksave dhe subvencioneve për komunat;
rrugë lokale (rindërtimi, ndërtimi, dhe rehabilitimi i rrugëve në
rajonet në vend 270 km rrugë lokale me vlerë prej 70 milion euro);
projekte për efikasitet të energjisë për komunat në vlerë prej 25 milion
Euro të financuar përmes bankës botërore” – sqaroi Ziberi, duke u bërë
thirrje të gjithë kryetarëve të komunave në Maqedoninë e Veriut ti
bashkëngjiten kësaj nisme me qëllim të përmirësimit të shpejtë të
infrastrukturës dhe cilësisë së jetës së qytetarëve në rajone.
“Pjesa e dytë e Memorandumit për Ardhmërinë do të krijojë shanse të reja
për të rinjtë. Një edukim i duhur profesional është thelbësor për
karrierën e të rinjve tanë. Kjo është ajo që ne, si shtet, duhet ta
sigurojmë. Është detyra jonë. Prandaj, së bashku me komunat, do të
ndërtojmë shkolla profesionale në çdo komunë, ku të rinjtë do të
aftësohen për profesionet e tyre të ardhshme. Komunat do të sigurojnë
infrastrukturën, të mundësuar përmes decentralizimit fiskal, dhe shteti
do të marrë përsipër të gjitha kostot operative – shtoi Ziberi duke
potencuar se ky Memorandum për Ardhmërinë është vetëm fillimi i një
bashkëpunimi të zgjeruar të pushtetit qendror me atë lokal.