Tetovë, 6 gusht 2026
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, priti sot në selinë e BDI-së në Tetovë Ushtruesen e Detyrës së Ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Shkëlqesinë e Saj, znj. Nicole Varnes.
Gjatë takimit, Kryetari Ahmeti shprehu mirënjohjen për angazhimin e saj të përkushtuar dhe kontributin në forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në një atmosferë të hapur dhe konstruktive, u shkëmbyen mendime për zhvillimet aktuale politike në vend dhe rëndësinë e forcimit të institucioneve demokratike.
Kryetari Ahmeti vlerësoi rolin e pazëvendësueshëm të Shteteve të Bashkuara si partner strategjik i vendit dhe si kontribuues kyç për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Ai theksoi se mbështetja amerikane ka qenë vendimtare në arritjen e Marrëveshjes Paqësore të Ohrit dhe mbetet thelbësore për ruajtjen e frymës së saj, avancimin e barazisë dhe forcimin e kohezionit shoqëror.
Në takim u rikonfirmua përkushtimi ndaj partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zbatimit të plotë të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit dhe orientimit të palëkundur euroatlantik të Republikës së Maqedonisë së Veriut.









https://www.facebook.com/share/p/1BxNCAPUwC/?mibextid=wwXIfr
