Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot ua dorëzoi letrat kredenciale Dane Talevskit, Faton Bejtës, Sali Limanit, Teuta Agait – Demjaha, Shaban Jasharit, Danço Markovskit dhe Shpresa Jusufit, për emërimin e tyre si Ambasadorë të rinj të Republikës së Maqedonisë së Veriut.“Keni nderin e madh, por edhe obligimin që të ndërtoni miqësi të mëdha dhe të sinqerta të Republikës së Maqedonisë së Veriut në vendet tuaja të akreditimit. Është një tipar i politikës sonë të jashtme të ndërtojmë ura dhe partneritete, dhe nga ju, si përfaqësues tanë më të lartë pres zbatim dinjitoz, të plotë dhe efikas të interesave tona strategjike”, theksoi Osmani.“Veçanërisht më gëzon fakti që me këtë rast, si pjesë e grupit të parë të ambasadorëve, të dorëzoj letrat kredenciale për ambasadorin tonë të parë në mision në NATO, Dane Talevski, me çka e plotësojmë procesin e anëtarësimit në Aleancën Euro-Atlantike, si vendi i 30-të”, tha Osmani.Shefi i diplomacisë, Osmani, në takim shtoi se procesi i plotësimit të vendeve të lira të ambasadorëve duhet të vazhdojë dhe të përshpejtohet si prioritet i politikës së jashtme dhe shprehi pritshmërinë se së shpejti do të kryhen edhe një pjesë e procedurave për vendet tjera të zbrazëta në Përfaqësitë Diplomatike dhe Konsullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me ç’rast do të krijohen kushte për plotësimin e misionit të mandatit të ri të diplomacisë për plotësimin e vendeve që në vitin 2021.Në kuadër të takimit të sotëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ministri Osmani realizoi takime personale me ambasadorët e sapoemëruar dhe personalisht ua dorëzoi letrat kredenciale të Danço Markovski si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë në Republikën e Shqipërisë me seli në Tiranë, Faton Bejta si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë në Mbretërinë e Danimarkës me seli në Kopenhagë, Shpresa Jusufi, Ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë në Republikën e Kosovës me seli në Prishtinë, Sali Limani, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë në Republikën e Kazakistanit me seli në Nur Sultan, Shaban Jashari, si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë në Shtetin e Katarit me seli në Doha, Dane Taleski si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë në Delegacionin e Përhershëm në NATO në Bruksel, Teuta Agai Demjaha, Ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë dhe Shefe i Misionit të Përhershëm të KB në Gjenevë, si dhe në mungesë të arsyetuar ishte Marija Efremova si Ambasadore e Jashtëzakonshme dhe e Plotfuqishme në Selinë e Shenjtë në Vatikan.