Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për sistem politik, Artan Grubi ka paralajmëruar se me ndryshimet mbi Kodin Zgjedhor që duhet të votohet më së voni deri me datë 15 janar të vitit 2021, zgjedhjet e ardhshme lokale do të mbahen me lista të hapura, përkatësisht me listë të hapur të këshilltarëve dhe kjo sipas Grubit është bërë me marrëveshje politike midis partnerëve të koalicionit.Grubi gjithashtu paralajmëroi se pas ndryshimit të Kodit Zgjedhor do të emërohen edhe anëtarët e ri të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, në përputhje me rezultatet zgjedhore të zgjedhjeve të 15 korrikut.“Në marrëveshje politike kemi që zgjedhjet e ardhshme lokale të mbahen me lista të hapura për listën e këshilltarëve, kjo është arritur dhe do të jetë pjesë e ndryshimit të Kodit Zgjedhor që duhet të miratohet para 15 janarit. Me dekretin e miratuar gjatë kohës së pandemisë në Maqedoni të Veriut u shty mandati i anëtareve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor i cili skadonte me 15 Korrik të këtij viti për arsye të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme dhe tashmë mandati u skadon me 15 janar dhe në ndërkohë do të duhet të ndryshohet Kodi Zgjedhor për të paraparë mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të ri të KSHZ-së në përputhje me rezultatet zgjedhore të zgjedhjeve të 15 korrikut”, ka deklaruar Grubi