Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në kuadër të vizitës vizitës dy ditore në Emiratet e Bashkuara Arabe realizoi takim me nikoqirin e tij, Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Lartmadhërinë e tij Sheikh Abdullah Bin Zayed Al Nahyan.Të dy ministrat nuk e fshehën kënaqësinë për vizitën e parë zyrtare nga ana e Maqedonisë së Veriut në nivel të Ministrave për Punë të Jashtme, e cila po ndodhë në prag të 25 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.Në fokusin e bisedës së tyre ishin potencialet e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik, përmes rrjetizimit më të madh të odave ekonomike dhe sektorit privat, si dhe pjesëmarrja e Republikës së Maqedonisë së Veriut në EXPO DUBAI, nga 01.10.2021-31.03.2022, si mundësi e shkëlqyer për prezantimin e potencialeve tona ekonomike dhe turistike para opinionit të gjerë botëror. “Pres që kjo vizitë të jetë fillim i një tempoje të shpejtë në zhvillimin e raporteve bilaterale midis dy vendeve, veçanërisht nga aspekti ekonomik, ku ekzistojnë potenciale të mëdha të pashfrytëzuara në fushat e investimeve, shkëmbimit, bujqësisë dhe turizmit”, theksoi Osmani.Gjatë bisedës të dy ministrat potencuan gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të dialogut në përgjithësi, shkëmbimin e përvojave politike në funksion të avancimit të bashkëpunimit bilateral.”Me EBA kemi ngjashmëri që korrespondojnë me rolet tona në kuadër të rajoneve tona, ndajme synime të njëjta dhe përpjekje për stabilitet, siguri dhe prosperitet në rajonin e Evropës Juglindore si dhe në Gjirin. Të dy vendet tona janë të pasura me llojshmërinë etnike dhe ndajnë politika të njëjta të tolerancës dhe bashkëjetesës.Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të EBA-s, Lartmadhëria e tij, Sheikh Abdullah Bin Zayed Al Nahyan u interesua edhe për gjendjen me pandeminë, në veçanti për procesin e vaksinimit, me ç’rast tregoi gatishmëri për t’u gjetur mekanizma për dorëzim sa më të shpejtë të vaksinave.Pas takimi vijoi ceremoni ku Ministri Osmani dhe nikoqiri i tij, Lartmadhëria e tij Sheikh Abdullah Bin Zayed Al Nahyan nënshkruan Marrëveshje për mbrojtje e investimeve të ndërsjella midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Memorandumin për konsultime politike midis dy Ministrive për Punë të Jashtme.MPJ Osmani sot u takua edhe me Ministrin e Tolerancës dhe Bashkëjetesës, Sheikh Nahyan Bin Mubarak Al-Nahyan, me Drejtorin ekzekutiv të “Hedayah International Center” për ballafaqimin me ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin, Ahmed Al Qasimi, si dhe me Ministrin Shtetëror për Diversifikim Ekonomik dhe Diplomaci Ekonomike Ahmed Ali Al-Sayegh. Me këtë vizitë Osmani synon thellimin e bashkëpunimit dhe shfrytëzimin e potencialit të madh të shkëmbimit mes Maqedonisë së Veriut dhe EBA-s.