Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot në konferencë për shtyp informoi se me kalimin e ditës së 15-të nga dita e nisjes së Regjistrimit, dita e fundit e cila ishte përcaktuar për regjistrimin e diplomatëve dhe familjeve të tyre, në pajtim me informacionet që vijnë nga përfaqësitë tona diplomatiko- konsullore, diplomatët dhe anëtarët e familjeve të tyre me sukses kaluan këtë proces. “Regjistrimi vazhdon deri më 21 prill, ose edhe 35 ditë, që paraqet periudhë të mjaftueshme që secili qytetarë i yni jashtë vendit të realizojë këtë të drejtë. Regjistrimi është punë e rëndësishme, ndërsa pjesëmarrja e diasporës nënkupton mapimin e saktë dhe distribuimin e qytetarëve tanë jashtë vendit. Rezultatet janë të rëndësishme për ne për të pasur bazë për sjelljen e politikave zhvillimore të bazuara në të dhëna precize të cilat përsëri, do të jenë në dobi të qytetarëve, në dobi të diasporës sonë”, theksoi Osmani.Suksesi gjatë regjistrimit të rrjetit diplomatik paraqet sukses për funksionalitetin e sistemit të regjistrimit, si dhe sukses i rrjetit diplomatik për shpërndarjen e informacioneve për regjistrimin dhe ballafaqimin me sfidat e përditshme, theksoi Osmani në kontekst të mbarimit të kësaj faze të procesit- Regjistrimi 2021.Osmani informoi edhe për aktivitetet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, por edhe për aktivitetet e saja diplomatike të fokusuara në këtë proces.“Puna jonë praktikisht në MPJ është në zhvillim e sipër, e ndjekim punën e PDK-ve në kontinuitet, linjat tona telefonike janë vazhdimisht të hapura dhe shfrytëzohen në mënyrë efikase, Ambasadat dhe Konsullatat intensivisht punojnë me shoqata të qytetarëve, asociacione dhe shoqata fetare- në një mënyrë i tërë rrjeti është vënë në fokusin e këtij procesi si prioriteti më i lartë i tyre. Në kuadër të aktiviteteve diplomatike, të hënën e kaluar isha në vizitë pune në Romë, ku përskaj takimeve me krerët shtetëror, realizova takim edhe me përfaqësues të shoqatave tona të cilat janë aktive në Romë. U bëra thirrje për mobilizim aktiv dhe hapur iu kërkova mbështetje, që së bashku të përcjellim informacionin deri te qytetarët tanë jashtë vendit, për rëndësinë e Regjistrimit. Nesër udhëtoj për në Zvicër, e pastaj edhe në Madrid, ku përskaj takimeve zyrtare në agjendë kam takime të shumta edhe me përfaqësues të diasporës sonë”, potencoi Osmani. Ministri i ftoi mediat për bashkëpunim, përmes programeve, kronikave, raportimeve të tyre, të njoftojnë jo vetëm qytetarët tanë në vend, por edhe qytetarët tanë jashtë vendit, të cilët i përcjellin emisionet e tyre.