Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi është pritur në takim në Prishtinë nga lideri i AAK-së, z. Ramush Haradinaj me të cilin kanë diskutuar për çështje të rëndësishme për të dyja vendet, përfshirë këtu edhe procesin e Regjistrimit, si një nga proceset më të rëndësishme. Grubi i ka thënë Haradinajt se ai dhe partia që drejton, çdoherë kanë kontribuar për të gjitha proceset që janë nisur në të mirën e shqiptarëve në vend dhe rajon. Zëvendëskryeministri i parë Grubi bashkë me kryetarin e AAK-së, z. Haradinaj krahas procesit të regjistrimit kanë diskutuar edhe mbi çështjet tjera siç është bashkëpunimi ekonomik dhe ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë. “Haradinaj ka një karakteristikë të veçantë sepse është dëshmitarë okular për çështjen madhore mbi lirinë e Kosovës dhe në rajon, andaj dhe përvoja e tij në këtë bashkëpunim të mërgatës shqiptare na vije në ndihmë në mobilizimin e tyre nëpër vendet e botës ku jetojnë familjarët tanë, në mënyrë që edhe sot të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të bëjmë që shqiptarët të regjistrohen. Me Kushtetutë varen edhe të drejtat e popullatës, sigurisht edhe nga përqindja edhe pse ju bind se të drejtat janë të pakthyeshme”, ka theksuar Grubi pas takimit me Haradinaj. Në anën tjetër krahas apelit që lëshoi z. Haradinaj ai njëherësh ka thënë se procesi i regjistrimit nuk do të ndihmojë vetëm Republikën e Maqedonisë së Veriut, por edhe gjithë rajonin. “Kemi shumë çka të bisedojmë sepse ndajmë ndjenjat dhe vlerat e njëjta dhe kësaj here ai ka ardhur me një kërkesë konkrete, që të mobilizohemi të gjithë dhe të vetëdijesohemi për regjistrimin e popullsisë shqiptare që jeton dhe vepron në mërgatë, ky është proces i qartë dhe i lehtë dhe me këtë ndihmojnë veten, atdheun dhe gjithë rajonin”, ka thënë Haradinaj pas takimit me Grubin. Në fund të këtij takimi, të dy bashkëbiseduesit u dakorduan se marrëdhënie e mira ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës do të vazhdojnë dhe që me formimin e institucioneve të reja të Kosovës, përkatësisht formimit të Qeverisë së re, menjëherë të vazhdojë bashkëpunimi mes dy vendeve, pasi që i njëjti është në favor të dy shteteve tona mike.