Forcat aleate të NATO-s nga 1 maji fillojnë me tërheqjen nga Afganistani. Ky është vendimi nga takimi i Ministrave të Mbrojtjes dhe të Punëve të Jashtme të NATO-s në të cilin morën pjesë Ministrat, Bujar Osmani dhe Radmilla Shekerinska. Në takim aletatët kanë theksuar se presin të krijohen kushtet për një kapitull të ri për të ardhmen e Afganistanit, në të cilin rolin kryesor do ta kenë qytetarët e vendit. U riafirmua mbështetja e tyre të fortë për zhvillimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe forcimin e institucioneve të sigurisë në Afganistan. Shtetet anëtare të Aleancës janë zotuar të forcojnë përpjekjet diplomatike për të gjetur një zgjidhje politike dhe përfundim të suksesshëm të procesit të paqes në Afganistan përmes dialogut të brendshëm inkluziv brenda vendit. Në takim, ministrat gjithashtu analizuan zhvillimet e reja në dhe rreth Ukrainës. U shprehën shqetësime në lidhje me veprimet e Rusisë dhe vendosjen e shtuar të trupave përgjatë kufirit me Ukrainën. U shpreh mbështetje e fortë dhe unanime për Ukrainën, si dhe për integritetin dhe sovranitetin e saj territorial. Gjithashtu u theksua edhe mbështetja e dialogut politik brenda kornizës së Marrëveshjes së Minskut, për të cilën ata i bënë thirrje Rusisë që t’i përmbahet parimeve të kësaj marrëveshjeje në drejtim të mos përshkallëzimit të tensioneve dhe për të forcuar paqen dhe sigurinë globale. Vendi ynë ka marrë pjesë në misionin në Afganistan që nga viti 2002. Si pjesë e misionit, morëm pjesë me më shumë se 3.100 persona, në mesin e të cilëve edhe oficerë, nënoficerë, mentorë, njësitë të këmbësorisë dhe personel mjekësor. Aktualisht, Maqedonia e Veriut kontribuon në misionin në Afganistan me 22 anëtarë të Armatës.