Ministri për shoqëri informatike dhe administratë, Jeton Shaqiri, ishte pjesë e takimit mes 6 Ministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor përgjegjës për përgjegjës për transformimin digjital dhe politikat e Teknologjisë informatike dhe komunikimeve të organizuar nga Këshilli Rajonal për Bashkëpunim (RCC), “Heading towards Roaming Free Western Balkans”. “Duke u frymëzuar nga Bashkimi Europian, kemi vendosur, dhe krijuam një mjedis ku të gjithë qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të sigurtë, mund të përdorin celularët e tyre, për të telefonuar, dërguar mesazhe apo për të surfuar në internet në të gjithë Ballkanin Perëndimor pa kosto shtesë që nga 1 korriku” tha Ministri Shaqiri. Ministri Jeton Shaqiri tha se ky është vetëm fillimi dhe paralajmëroi ngjarje të tjera në vijim: “Rëndësia e kësaj marrëveshjeje është tejet e madhe dhe është si parakusht për të nisur procesin e uljes së kostove të roamingut mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Bashkimit Europian.” “Memorandumet rreth 5G, interoperabilitetit dhe shërbimeve të besimit (trust services), të nënshkruara vitin e kaluar në Tiranë, hapën dyert për të ndërtuar një gjuhë të përbashkët teknike. Kjo do t’iu mundësojë sistemeve të TIK-ut të komunikojnë në mënyrë efektive në rajon, dhe në të ardhmen, edhe me vende të Bashkimit Europian. Është një hap i vogël por i rëndësishëm në rrugën drejt ndërtimit të një shoqërie digjitale të bazuar në besim” tha Shaqiri. Ministri Shaqiri paralajmëroi edhe thellimin e bashkëpunimit mes këtyre vendeve, investime në rrjet dhe infrastrukturë, në mënyrë që cilësia dhe shpejtësia e komunikimit të rriten akoma dhe më tepër. “Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe të përshpejtojmë progresin drejtë lidhjes së rajonit. Ne duhet të bashkojmë përpjekjet tona dhe të punojmë përtej kufijve dhe përtej sektorëve që të rrisim bashkarisht cilësinë e jetesës dhe të përshpejtojmë rimëkëmbjen ekonomike të rajonit” mbylli fjalimin e tij Ministri Jeton Shaqiri.