Bashkimi Demokratik për Integrim sot ka mbajtur konferencë për shtyp, përmes të cilës është bërë apel deri tek qytetarët që të vazhdojnë procesin e Regjistrimit. Agim Nuhiu nga BDI ka theksuar që qytetarët t’i përgjigjen pozitivisht këtij procesi shumë thelbësor dhe domethënës jo vetëm për popullatën por edhe për gjithë vendin. Në vazhdim ju sjellim fjalimin integral të z. Nuhiu. Të nderuar përfaqësues të mediave, të nderuar qytetarë, E dashura diasporë! Jemi këtu përpara jush, për të sjellë në vëmendje edhe njëherë rëndësinë e procesit të regjistrimit të popullsisë, banesave dhe amvisërive. Bashkimi Demokratik për Integrim u kujdes që ligji për regjistrimin e popullsisë të jetë gjithpërfshirës, pa asnjë ngarkesë dhe hile, për të gjitha fazat ku kalon ky proces i rëndësishëm statistikor. Me ligj, u sigurua mundësia që secili qytetar të regjistrohet, të numërohet, të duket , të bëhet i gjallë. Përfundimisht, si e gjithë bota e zhvilluar edhe ne si shtet do të kemi informatat e nevojshme të cilat me të vertetë janë thelbësore për hartimin e planeve dhe projekteve që janë të nevojshme para së gjithash për ne qytetarët dhe vet shtetin. Ajo që është më e rëndësishme në këtë periudhë është realizimi i regjistrimit me respektim të standardeve më të larta për mbrojtje nga virusi Kovid 19. Institucionet shëndetësore kanë hartuar rregullat të cilat janë të detyrueshme gjatë procesit të regjistrimit dhe në tërësi po zbatohen nga ana e ekipeve të angazhuara në terren. Të gjitha institucionet e sistemit të shtetit dhe vet Enti për statistikë japin garancione të forta se procesi i regjistrimit realizohet sipas parashikimeve. Dyert e shtëpive tona hapen pa hamendje. Qytetarët po regjistrohen. Ne ju bëjme thirrje që të regjistrohet edhe qytetari i fundit. Akti me i madh patriotik në këtë periudhë ështe regjistrimi. Ne të gjithe jemi të lidhur me vendin, me truallin, me shtëpinë, me pronat tona. Dhe secili prej nesh është i rëndesishëm. Prandaj të regjistrohemi. Regjistrimi do te zgjas deri më 30 shtator. Të dashur motra dhe vëllezër për herë të parë diaspora jonë po regjistrohet edhe nëpërmjet opcionit elektronik. Regjistrimi i diasporës po vazhdon pa asnjë ndërprerje. Ju bëjme thirrje të gjithë atyre që nuk u regjistruan deri më tani të regjistrohen gjatë kësaj periudhe. Të gjithë qytetarët e shtetit tonë do të regjistrohen, do të numërohen dhe do të jenë pjesë e numrit të pergjithshëm të popullsisë të shtetit tonë përfshirë edhe diasporën tonë. Ligji do të zbatohet deri në germën e fundit. Institucionet po kujdesemi për këtë proces. Material (Video) https://we.tl/t-m5ReXaLg8k