Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), fushatën parazgjedhore sonte nga Buteli e vazhdoi në Shuto Orizare, ku qytetarëve të pranishëm ju është drejtuar kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi si dhe funksionar të tjerë të lartë. Bartësja e listës së kandidatëve për këshilltar në komunën e Shuto Orizares, Imrane Ramadani theksoi se sot kërkojnë mbështetjen e qytetarëve për të vazhduar realizimin e projekteve. “Ne si degë në të kaluarën kemi bërë shumë projekte por gjithçka nuk varej nga aftësia dhe vullneti jonë për të realizuar, por tani është ndryshe sepse ne do të jemi hisetar në komunë ashtu siç janë të gjithë komunitetet tjera. Ne do të jemi në shërbimin tuaj në mënyrën më të mirë të mundëshme duke ju shërbyer pa rezervë prandaj sot, kërkojmë mbështetjen dhe besimin tuaj duke na votuar më 17 Tetor për vazhdimin e projekteve bashkë”, ka theksuar Imrane Ramadani. Zëvendëskryeministri i parë Grubi para të pranishmëve ka theksuar se projekti më i madh nga komunat jashtë qytetit të Shkupit po bëhet pikërisht në komunën e Shuto Orizares. “Në dokumentin e arritur si marrëveshje në këtë komunë, ishte paraparë gjithçka që do të punohet brenda katër viteve, asnjë shkronjë në atë dokument nuk kishte të bëj në interes të dikujt përveç se të qytetarëve, nuk ka vend që nuk po ndërtohet në Shuto Orizare. Projektin më të madh prej komunave tjera jashtë komunave të Shkupit është pikërisht në këtë komunë dhe jam shumë i entuziazmuar që bashkë do të rrethojmë numrin 3 për Listën e këshilltarëve dhe uroj për guximin bartësen e listës duke i dhënë të gjithë ju mbështetjen. Të bëjmë një fushatë dinjitoze siç na ka hije, jemi fitimtarë, jemi njerëz që mbajmë fjalën dhe bëjmë punën, të shtrojmë dorën e të kërkojmë votën me programin që kemi dhe për këtë ju lutem shumë”, ka theksuar Zëvendëskryeministri i parë Grubi. Kryetari Ahmeti në fjalimin e tij ka thënë se dëshiron një fushatë dinjitoze dhe të drejtë. “Jemi këtu për të demonstruar përkrahjen që japim për listën e këshilltarëve, japim përkrahje të fortë të gjithë projekteve për të cilat ka nevojë komuna juaj që ju edhe jetoni. Në këtë rrugë të drejtë ju jeni kategori kushtetuese dhe të trajtuar si gjithë të tjerët, pse unë kërkova që ju të jeni të trajtuar njejtë sepse kombi ka qenë i pushtuar, kombi im ka qenë i keqtrajtuar, kombit tim i ka munguar liria dhe unë i takoj këtij kombi që hakun tua jap të gjithë atyre që jetojnë bashkë në këtë qiell, uroj që marrëveshja e bërë të respektohet sepse është e dobishme për të gjithë. I uroj sukses listës së këshilltarëve që me dinjitet të mbrojnë dhe të ngrisin emrat që japin zgjidhje për kërkesat e qytetarëve. Uroj të ketë një fushatë të denjë dhe të drejtë”, ka theksuar kryetari i BDI-së Ali Ahmeti. Bashkimi Demokratik për Integrim në këto zgjedhje lokale garon me 19 kandidat për kryetar komune dhe me 35 lista për këshilltarë. Gjatë ditëve të fushatës do të vizitohen të gjitha qytetet, komunat dhe vendbanimet për të prezantuar kandidatët për kryetar komunash dhe këshilltarë komunale. Ndryshe, BDI fushatën nesër do ta vazhdojë në komunën e Haraçinës, ku do të prezantojë Platformën për këtë komunë, kandidatin për kryetar dhe listën për këshilltar.