Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, mori pjesë në panel diskutimin e titulluar “Evropa Juglindore: Forcimi i paqes dhe sigurisë në mjedisin e brishtë global”, në kuadër të Konferencës Samiti për Ballkanin Perëndimor – “Promovimi i inkluzivitetit dhe solidaritetit në Evropë”, që u mbajt në Shkup, nën organizimin e revistës prestigjioze “The ekonomist”. Ministri Osmani, në fjalimin e tij i theksoi sfidat aktuale globale si: ndryshimet klimatike, hibride dhe kërcënimet kibernetike, krizat e migracionit, me çka e theksoi nevojën për qasje partneriteti dhe bashkëpunimi të ndërsjellë të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian dhe vendet e tjera nga rajoni, në drejtim të tejkalimit të tyre dhe krijimit të një Evrope më të fortë. Njëherësh, i theksoi hapat e marra nga rajoni ynë në drejtim të afrimit me Bashkimin Evropian, përmes formimit të tregut të përbashkët rajonal dhe hapit të ndërmarrë drejt transformimit të gjelbër dhe digjital, që nga ana e saj kontribuon në zhvillimin e qëndrueshëm të vet BE-së. “Plani ekonomik dhe investues për Ballkanin Perëndimor shkon dorë për dore me politikën kredibile të zgjerimit të BE-së. Nëse gjatë këtij dimri nuk ka avancim lidhur me dosjen e Maqedonisë së Veriut, kjo do të ndikojë negativisht në kredibilitetin e BE-së. Investimi më i lirë për ringjalljen e perspektivës evropiane është duke ndërmarrë hapa konkretë drejt secilit prej vendeve të rajonit”, theksoi Osmani. Ministri Osmani iu referua edhe anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, duke e vlerësuar si shembull të suksesshëm dhe reciprokisht të dobishëm për sigurinë e vendit dhe Aleancës. Duke i marrë parasysh benefitet dhe arritjet anëtarësimit tonë në NATO, ai dërgoi porosi se nuk ekziston dilemë që progresi i rrugës sonë drejt BE-së të jetë me interes të ndërsjellë për vendin, rajonin dhe për Unionin në tërësi. Në panel, përveç Ministrit Osmani mbajtën fjalim edhe Ambasadorja e SHBA-ve Kejt Meri Brnz dhe përfaqësues të tjerë të lartë nga rajoni dhe komuniteti akademik.