Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup në vazhdimësi punon për arritjen e normave dhe standardeve evropiane në veprimtarinë mësimore, shkencore dhe aplikative dhe ne si Ministri e arsimit dhe shkencës jemi këtu për ta mbështetur atë. Përcaktimi i kësaj Qeverie për investime intensive në arsimin e lartë buron nga pikëpamja se nuk ka alternativë për avancimin e kërkimit shkencor, si kusht për zhvillim më të shpejtë social-ekonomik. Kështu ka theksuar ministri i arsimit dhe shkencës Jeton Shaqiri në takimin e sotëm me rektoratin e këtij universiteti.“Në kushtet sfiduese në të cilat jetojmë dhe punojmë, mbështetja konstruktive dhe e vazhdueshme e dhënë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për realizimin e arsimit cilësor dhe të vlefshëm, është akoma më e rëndësishme. Sot dëgjuam mendimet dhe propozimet e rektoratit të universitetit Shën Kirili dhe Metodi dhe shprehëm gatishmërinë që bashkërisht të gjejmë zgjidhje për të gjitha çështjet në të cilat mund të ndërhyjmë, pa cenuar autonominë akademike”, tha ministri Shaqiri.Ministri informoi se vizita në këtë universitet është pjesë e agjendës për vizita në të gjitha institucionet e arsimit të lartë në vend, e cila do të realizohet në periudhën e ardhshme.