Ka më shumë se sa duhet miell në vend, mullinjtë kanë sasi të mjaftueshme të miellit për të mbuluar nevojat e tregut. Nuk ka vend për të krijuar panik tek qytetarët për blerje të panevojshme të miellit, duke pasur parasysh se kemi të gjitha sasitë e nevojshme të miellit që i duhen shtetit për momentin, bëri të ditur ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, pas vizitës në mullirin “Kokrra e Artë” në Poroj të Tetovës. Siç tha ministri, ky mulli është njëri nga eksportuesit më të mëdhenj të miellit në Maqedoninë e Veriut dhe sipas vendimit të fundit për ndalimin e eksportit të drithrave, miellit dhe vajit për gatim, tani shiten vetëm në tregun vendas. “Dua t’i siguroj qytetarët se kemi sasi të mjaftueshme të miellit në mullinjtë vendas, dhe çmimet e produkteve ushqimore bazë në periudhën e ardhshme do të ulen si rezultat i vendimeve të Qeverisë për mbrojtjen e qytetarëve nga goditjet e çmimeve. Deri në fund të javës presim stabilizim të plotë të tregut dhë në varësi të informacionit do të hiqet ndalimi i eksporteve që u miratua javën e kaluar. Prioriteti ynë është të kujdesemi për qytetarët dhe t’i mbrojmë ata nga goditjet e çmimeve”, tha ministri Bekteshi. Ministri gjithashtu theksoi se institucionet janë në komunikim të vazhdueshëm me autoriteserbe për të siguruar sasi shtesë të grurit, por kjo nuk do të thotë që nuk mbulohen nevojat e brendshme, por këto sasi janë me qëllim që disa nga kompanitë tona të miellit që janë eksportuese në rajon, pas stabilizimit të tregut të mund të eksportojnë dhe të bëhen më konkurruese edhe në kohë krize. Gjitashtu, ministri Bekteshi potencoi se inspektorët e Inspektoratit Shtetëror të Tregut janë në terren për zbatimin e vendimeve të Qeverisë dhe sipas raportit të javës së kaluar për tregtarët të cilët nuk i kanë respektuar vendimet e Qeverisë janë shqiptuar gjoba. “Sa i përket kundërvajtjeve. javën e kaluar ISHP ka konstatuar disa shkelje në Shkup në disa supermarkete të mëdha. Bëhet fjalë për shtatë supermarkete të mëdha të cilat për mos respektimin e vendimeve të Qeverisë janë gjobitur me nga 7.000 euro. Duke pasur parasyshë raportin e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Ministria e Ekonomisë dërgoi shkresë deri te Inspektorati i Shtetëror i Tregut që të veprojnë dhe në përputhje me Ligjin për konsumatorët ku parashihet se nëse shkeljet e tilla përsëriten, inspektorët mund të shqiptojnë ndalim të ushtrimit të veprimtarisë deri në një vit për praktika të pandershme që bëhen në tregti, veçanërisht kur ka vendime të Qeverisë”, deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.