Dialogu Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së filloi me panelin kushtuar iniciativave rajonale

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, së bashku me Ndihmëssekretaren e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, hapën Dialogun Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe ShBA-së, i cili po mbahet sot në Ambientet e Departamentit të Shtetit në Uashington. “Dialogu Strategjik me SHBA-të paraqet kapitull të ri në marrëdhënet tona të ndërsjella, i cili do ta avancojë partneritetin tonë strategjik dhe do të vendosë kornizë për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy vendeve. “Ndjehemi veçanërisht krenarë që Maqedonia e Veriut është vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që e ruan këtë proces të rëndësishëm, i cili paraqet njohje edhe për rolin tonë rajonal dhe sinjal të qartë të miqësisë dhe aleancës së fortë mes dy vendeve”- theksoi Osmani. Pas hapjes zyrtare, vijoi sesioni kushtuar iniciativave rajonale, që u kryesua nga ana e Ministrit Osmani dhe ndihmëssekretarja e shtetit Karen Donfried. Në fokus të diskutimeve ishte rëndësia e iniciativave rajonale për proceset reformuese si veçanërisht të rëndësishme për perspektivat e integrimit evropian, pajtimin dhe stabilitetin e përgjithshëm të Ballkanit Perëndimor. Ministri Osmani e theksoi pjesëmarrjen aktive të Maqedonisë së Veriut në një sërë iniciativash rajonale, përfshirë këtu Procesin e Berlinit, Ballkanin e Hapur, Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, Këshillin për Bashkëpunim Rajonal etj. Njëherazi, ai e përshëndeti rolin e tyre në fushën e integrimit ekonomik dhe prosperitetit rajonal, duke theksuar se të njëjtat nuk janë zëvendësim për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, por i mbështesin dhe i përshpejtojnë proceset e tyre eurointegruese.  “Maqedonia e Veriut, si iniciatore e I8 dhe B6, është vend lider me iniciativa rajonale me vizion për përshpejtimin e proceseve reformuese, forcimin e integrimit ekonomik dhe përshpejtimin e proceseve integruese evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Qasja e këtillë është veçanërisht e rëndësishme për tejkalimin e dallimeve ndërmjet vendeve të rajonit dhe integrimin e tyre sa më shpejtë në BE. “Ne veçanërisht i jemi mirënjohës ShBA-së për mbështetjen e saj të vazhdueshme dhe të pahamendshme të përpjekjeve tona në këtë drejtim”- theksoi Osmani. Iniciativa tetë (I8) paraqet platformë rajonale, të iniciuar nga Maqedonia e Veriut, për bashkëpunim trilateral ndërmjet Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Bullgarisë. Qëllimi i nismës është forcimi bashkëpunimin politik ndërmjet vendeve përgjatë Korridorit Pan-Evropian 8, ose të ashtuquajturin aks ballkanik lindje-perëndim, që lidh Adriatikun me Detin e Zi, duke inkurajuar bashkëpunimin në fushën e sigurisë, energjisë, turizmit, kulturës dhe të ngjashme. Nga ana tjetër, iniciativa B6 parqet platformë joformale për bashkëpunim politik të Ministrave të Punëve të Jashtme të Ballkanit Perëndimor, të iniciuar vitin e kaluar nga ministri Osmani, qëllimi i së cilës është të nxisë komunikimin e ndërsjellë ndërmjet liderëve të diplomacisë në vendet e rajonit, ngjashëm me bashkëpunimin rajonal tashmë të krijuar në Evropë, si V4 (Vishegrad) ose iniciativa e vendeve të Evropës Qendrore C5. Në sesion u bë fjalë edhe për situatën aktuale të sigurisë, me çka u shpreh dënimi i përbashkët i agresionit ushtarak rus, si dhe u shpreh mbështetje për Ukrainën dhe popullin ukrainas. Gjithashtu, u përshëndetën të arriturat e Maqedonisë së Veriut në kuadër të proceseve eurointegruese dhe u dërgua mesazh për fillimin sa më të shpejtë të negociatave për aderim në BE. Kryesimi ynë me OSBE-në në vitin 2023 ishte gjithashtu në krye të agjendës, që u përshëndet dhe u mbështet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Related posts

30 vjetori i UÇK-së, Ahmeti: Tre shkronjat e arta sollën kthesën historike në fatin e kombit shqiptar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka qëndruar në Prishtinë së bashku me veprimtarë të çështjes kombëtare e atdhetarë kanë…

Gjuha shqipe është vija që nuk duhet dhe nuk guxon të kapërcehet!

Teksa afrohet dita e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e Ligjit për Gjuhët, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paralajmëron edhe një…

Pastrimi etnik në institucione: Shqiptarët nën sulmin e qeverisë pa legjitimitet

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dënon fuqimisht fushatën në vazhdim të diskriminimit etnik dhe “pastrimit institucional” që po vihet në zbatim ndaj…