Ulja e ekonomisë gri është komponent themelor i reformave tatimore dhe rritjes ekonomike

Në opinionin publik u aktualizua diskutimi për konceptin e reformës tatimore gjatë javës së kaluar. Përndryshe, konsultimet kanë filluar që në vitin 2020, paralelisht me analizat e performancës së sistemit tatimor dhe përmirësimin e tij. Koncepti i reformës tatimore i referohet në esencë rritjes së vlerës së arkëtuar të tatimeve, kryesisht nëpërmjet rritjes së fushëveprimit, resprektivisht rishikimit të trajtimit preferencial të kategorive të caktuara, por edhe vendosjes së më shumë obliguesve tatimorë në sistem, resprektivisht uljes së ekonomisë joformale.

Analiza esenciale dhe debati i gjerë publik janë pjesë sinjifikative e reformës
Arkëtimi i detyrimeve në vendin tonë është shumë më i ulët se mesatarja evropiane, po ashtu jemi edhe pas rajonit. Këtë e përmenda edhe në kolumnën paraprake, por rëndësi ka që të theksohet se kjo është esenca që tregon se duhet dhe nevojiten ndryshime sistematike. Në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2020, ekziston një hendek i konsiderueshëm ndërmjet pjesëmarrjes së të hyrave nga tatimet dhe kontributet në PBB në BE-27, si dhe në Maqedoninë e Veriut. Në vitin 2008 të hyrat e përgjithshme tatimore dhe kontributet sociale kanë pjesëmarrje prej 38.4% në PBB të BE-27, ndërsa Maqedonia e Veriu ka pjesëmarrje prej 27.7%. Ky hendek, gjatë viteve u thellua edhe më tej. Në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor, gjithashtu bindshëm kemi realizim më të ulët. Pjesëmarrja e të hyrave tatimore në PBB në vendin tonë është edhe më e ulët, në vitin 2020 ishte 16.1%. Sipas ekspertëve të Bankës Botërore, pjesëmarrja e të hyrave tatimore në PBB është sinjifikative për rritjen ekonomike dhe uljen e varfërisë, pasi siguron që vendet të kenë në dispozicion mjete të nevojshme për të investuar në të ardhmen dhe për të arritur rritje të qëndrueshme ekonomike. Vendet e zhvilluara, zakonisht kanë pjesëmarrje më të lartë, mesatarja në vendet e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) ishte 33.8% në vitin 2019 ose dyfishi krahasuar me rezultatin tonë. Sipas këtyre të dhënave, është e qartë se nevojiten ndryshime në sistem. Reforma tatimore nuk është zgjidhje ad hoc për rritje të menjëhershme të të hyrave të buxhetit në kushte krize. Deri më tani, janë realizuar sipas planit dhe vazhdimisht i kemi korrigjuar në rritje me rishikimin. Reforma ka rëndësi për rritjen e ardhshme ekonomike dhe drejtësinë në barrën tatimore. Që të jetë e qëndrueshme, përveç analizës fundamentale, duhet të kalojë në një proces inkluziv përmes debatit të gjerë. Siç do të thoshte shkrimtari dhe moralisti francez Joseph Jubet “Është më mirë të debatosh për një çështje para se të zgjidhet, se sa të zgjidhet çështja pa u debatuar”.

Me të drejtë, koncepti i reformës tatimore ka marrë shumë vëmendjen e opinionit publik. Gjithashtu ka edhe përplasje mendimesh – disa vlerësojnë se duhet të vendoset tatimi progresiv, të tjerë janë kundër, disa vlerësojë se në vend të depozitave bankare duhet të tatimohen përfitimet bankare, të tjerë janë pro tatimimit të përfitimeve “ekstra” të kompanive, ka edhe nga ata që propozojnë rritje të akcizës për alkoolin dhe duhanin për më shumë të hyra për shëndetësinë dhe sportin. Lista e propozimeve është e gjerë, ndër të cilat përmendet edhe tatimi “i përkohshëm”, si dhe propozime të tjeratë n gjashme lidhur me TVSH-në dhe tatimet e tjera. Prandaj është mirë që të ketë diskutime dhe të jepen të gjitha mendimet dhe argumentet.

Zgjerimi i bazës tatimore përfshin para së gjithash formalizimin e sektorit joformal
Të gjithë ata që deri tani argumentuan publikisht pro dhe kundër nevojës së reformës tatimore, iu referuan edhe ekonomisë gri. Këtu, do doja të bëja të qartë se, megjithëse u theksua në kolumnën paraprake, potencoj – lufta kundër ekonomisë gri është pjesë e reformës, resprektivisht me ndryshimet sistematike do të ndërmerren një sërë masash për formalizimin e sektorit joformal. Kur them rritje të bazës tatimore, kjo nënkupton edhe vendosje të subjekteve në të nga pjesa joformale.
Këtë kolumnë, në drejtim të transparencës dhe llogaridhënies ndaj opinionit publik, do ta destinoj tërësisht drejt politikave, masave dhe aktiviteteve që do të ndërmarrim në drejtim të luftimit të ekonomisë gri.

Ekonomia gri – konstante

Pavarësisht të gjithë sfidave me të cilat bota dhe ne si ekonomi dhe shoqëri përballemi në këtë periudhë – pandemia, kriza energjetike dhe e çmimeve, ekonomia gri si problem vazhdon të jetë “evergreen”. Ekonomia gri është një nga problemet më të mëdha me të cilat përballen shumë ekonomi në zhvillim, duke e përfshirë edhe ekonominë tonë. Me pak fjalë, ekonomia gri është evazioni tatimor, distorzioni i tregut, konkurrenca jolojale dhe shpërndarja joefikase e burimeve. Ajo minon konkurrencën e kompanive dhe individëve dhe krijon “avantazh” të padrejtë dhe të paligjshëm për ata që nuk përmbushin detyrimet ligjore. Shmangia e detyrimeve tatimore rrënon sistemin e barazisë dhe dëmton të gjithë.
Ekonomia gri është e dëmshme për të gjithë qytetarët dhe prandaj është esenciale që secili të niset prej vetes dhe të japë kontribut individual për zgjidhjen e kësaj sfide. Një krahasim aktual është energjia elektrike dhe efikasiteti energjetik. Nëse të gjithë kolektivisht jemi më të kujdesshëm në raport me shfrytëzimin e energjisë elektrike, të gjithë së bashku do të paguajmë çmim më të lirë.

Duke parë tablonë e përgjithshme dhe qëllimin drejt së cilit duam që të arrijë ekonomia jonë, pavarësisht sfidave të shumta gjatë dy viteve të fundit që nga fillimi i pandemisë, punuam për masa dhe plane për ta luftuar këtë problem të jashtëzakonshëm për ekonominë tonë. Në kuadër të kësaj është edhe Plani aksional për luftimin e ekonomisë gri të Ministrisë së Financave, i cili është pjesë e Planit aksional dhe Strategjisë për formalizimin e ekonomisë joformale. Bëhet fjalë për sistem gjithëpërfshirës dhe konsistent për reduktimin efektiv të të punësuarve joformalë, subjekteve afariste të paregjistruar dhe aktiviteteve joformale në kuadër të ekonomisë formale.

Fenomen në çdo shoqëri

Ekonomia joformale është e pranishme në të gjitha vendet, niveli dhe format e saj janë të ndryshme dhe lidhen me shkallën e zhvillimit të institucioneve dhe ekonomisë. Niveli i përfshirjes së ekonomisë gri është shumë i vështirë për t’u matur për shkak të karakterit. Megjithatë, janë zhvilluar disa metoda për vlerësimin e shtrirjes së saj, metoda direkte, të cilat bazohen në të dhëna direkte përmes anketave, vëzhgimeve dhe intervistave me operatorët ekonomikë; dhe metoda indirekte përmes së cilave përcaktohet shkalla e ekonomisë gri përmes treguesve makroekonomikë, si raporti ndërmjet parave të gatshme dhe depozitave, inputi fizik etj.

Në përgjithësi, vendet me nivel më të ulët të zhvillimit kanë ekonomi më të lartë joformale, kryesisht për shkak të pamundësisë së sektorit formal për të krijuar vende të mjaftueshme pune. Por, praktika në vendet e BE-së tregon gjithashtu se sektori joformal vazhdon edhe në nivel më të lartë të zhvillimit. Sipas vlerësimeve të FMN-së, ekonomia gri është mesatarisht 35% e PBB-së në ekonomitë me zhvillim më të ulët ose me zhvillim të mesëm, krahasuar me 15% të PBB-së në ekonomitë e zhvilluara. Për shembull, vlerësimi i shkallës së përfshirjes së ekonomisë gri në Austri është rreth 9%, Gjermani 15%, Greqi 26%, etj. Në vendet e rajonit, ekonomia gri është rreth 30%. Për shembull, në Kosovë rreth 39%, Mal të Zi 38%, Kroaci 35%, Serbi 34%, Bosnjë dhe Hercegovinë 34.4% dhe Shqipëri 28.3%. Me pak fjalë, nuk ekziston ekonomi pa përfshirjen e ekonomisë gri.

Ekzistojnë disa faktorë kyç që ndikojnë në përfshirjen e saj, ata janë: shkalla e zhvillimit ekonomik të vendit, shkalla e dixhitalizimit, barra tatimore, detyrimet parafiskale, rregullimi i lartë i ekonomisë formale, veçanërisht në tegun e punës, shfrytëzimi i pagesave me para të gatshme, niveli i korrupsionit, besimi në administratën shtetërore dhe morali tatimor.

Forcimi i moralit tatimor – si bazë e strategjisë për luftimin e ekonomisë gri

Nuk ekziston asnjë model universal për uljen e ekonomisë gri. OECD-ja, megjithatë, propozon një formë të caktuar – tre shtylla, zbatimi i të cilave mund ta minimizojë këtë problem të përgjithshëm ekonomik. Së pari, edukimi i obliguesve tatimorë dhe rregullativat e thjeshta. Së dyti, reduktimi i mundësive për përfshirje në aktivitetet e ekonomisë gri dhe së treti, përforcimi i normave shoqërore. Këto tre shtylla janë bazë e mirë për krijimin e strategjive nacionale.

Në rajon, strategjitë për luftimin e ekonomisë gri bazohen kryesisht në rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e formalizimit të aktiviteteve ekonomike. Gjithashtu, Shqipëria krahas fushatës, ka ndërmarrë masa për përmirësimin e inspektimit dhe mbikëqyrjes, si dhe për lehtësimin e procedurave administrative, si dhe masa për përmirësimin e fiskalizimit. Serbia, përveç fushatës intensive për përforcimin e “moralit tatimor”, vendosi masa për avancimin e supervizionit, masa tatimore dhe fiskale për stimulimin e formalizimit të aktiviteteve ekonomike dhe për zvogëlimin e barrës administrative dhe parafiskale.

Prandaj, nevojitet që përmes sistemit arsimor dhe informimit publik të ndërmerren aktivitete të vazhdueshme për ndërgjegjësimin e opinionit publik për efektet negative të ekonomisë joformale dhe në këtë mënyrë të ndikohet në drejtim të përmirësimit të moralit tatimor, i cili do të kontribuojë në rritjen e cilësisë së të mirave dhe shërbimeve publike të siguruara nga vendi.

Vitin e kaluar, Ministria e Financave me përkrahjen e UNDP-së filloi fushatën informative “Vendos ngjyrë” dhe u nisëm nga maksima “Më pak ekonomi gri, jetë më cilësore!”. Simbolikisht, duke vizatuar një rreth me ngjyrë gri, shënuam fillimin e aktiviteteve për uljen e ekonomisë gri përmes rritjes së ndërgjegjësimit të qytetarëve.

Ekonomia gri – sfidë e jashtëzakonshme edhe për ekonominë tonë

Edhe pse, siç e përmenda më lart, fokusi gjatë viteve të fundit ka qenë zgjidhja dhe miratimi i masave për krizat e vazhdueshme ekonomike që kanë goditur botën gjatë dy viteve të fundit, nga të cilat ekonomia jonë nuk bën përjashtim, ekonomia gri mbetet edhe më tej si një nga sfidat tona më të mëdha. Rëndësia e saj është e madhe në kuadrin e krijimit të mundësive për rritje, planifikimit dhe zbatimit të strategjive për zhvillim të qëndrueshëm dhe inkluziv.

Kompanitë që janë pjesë e ekonomisë gri kanë më pak mundësi për rritje, qasje më të ulët, madje qasje inekzistente në financa, që janë element kyç në zhvillimin e tyre. Ata nuk mund të tërheqin kuadër cilësor dhe profesional, gjë që rezulton në zhvillimin nënpotencial të atyre kompanive. Përveç kësaj, ekonomia gri është veçanërisht e përfshirë edhe në mesin e kategorive më të ndjeshme, duke rritur pabarazinë dhe varfërinë mes këtyre qytetarëve, ndërkohë që punëtorët fitojnë më pak se ata që janë pjesë e ekonomisë formale. Nga ana tjetër, vendi ka bazë tatimore më të ulët dhe si rrjedhojë ka më pak mjete për shërbime publike dhe cilësore.

Sipas vlerësimeve, ekonomia gri është rreth 33% në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Nëse duam të kemi vend me infrastrukturë më të mirë, arsim cilësor, me mbrojtje shëndetësore dhe sociale më të mirë, të gjithë duhet të përpiqemi dhe të kontribuojmë. Kalimi nga sektori joformal në atë formal do të kontribuojë në krijimin e një mjedisi afarist të parashikueshëm dhe stabil, kushte të barabarta pune dhe konkurrencë të mirë. Gjithashtu, do të mundësojë krijimin e kushteve për konkurrencë të barabartë mes bizneseve, përforcimin e moralit tatimor, si dhe rritjen e prodhimit të brendshëm bruto.

Kjo tregon se sa e rëndësishme është të ndërmerren masa urgjente për ta luftuar ekonominë joformale.

Aktivitetet e parashikuara në Planin aksional të Ministrisë së Financave bazohen në përkrahjen dhe stimulimin e formalizimit të aktiviteteve joformale përmes rritjes së përfitimeve nga hyrja në ekonominë formale. Aktivitetet që janë pjesë e planit bazohen në përvojat pozitive të vendeve të Bashkimit Evropian. Ato përfshijnë të dyja anët e tregut joformal – ofertën dhe kërkesën. Kështu, nga ana e kërkesës, parashihen masa stimuluese dhe parandaluese për kalimin në produkte dhe shërbime formale, përmes uljes së kostove lidhur me to dhe përmes sigurimit të kushteve të barabarta për të gjitha kompanitë. Sa i përket ofertës, formaliteti stimulohet dhe do të vijojë edhe më tej në kuadër të zinxhirit të furnizimit, përmes masave stimuluese (dhe përfitimeve tatimore) për kompanitë që janë tërësisht formale. Prandaj, fokusi destinohet në përmirësimin e efikasitetit të inspektimeve dhe mbikëqyrjes për të siguruar barazi më të madhe për të gjithë pjesëmarrësit në treg.
Masat i referohen gjithashtu modernizimit të proceseve, si për shembull e-tregtisë, e cila po merr hov dhe po krijon konkurrencë jolojale midis ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si shtytës kryesor i zhvillimit ekonomik. Prioritetet janë: përmirësimi i procesit të matjes, monitorimi dhe detektimi i ekonomisë gri, stimulimi i aktiviteteve për formalizimin e ekonomisë gri, ndërgjegjësimi për ekonominë gri dhe forcimi i moralit tatimor, përforcimi i shërbimeve inspektuese, përmirësimi i rregullativës ligjore dhe zbatimi i masave në pjesën e Drejtorisë Doganore ku do të përfshihen produktet e-tregtisë.

Nismat që gjithashtu pritet të japin kontribut të rëndësishëm në luftimin e ekonomisë gri janë ulja e pagesave me para të gatshme përmes reformave të reja në sistemin e pagesave dhe shërbimeve të pagesave me liberalizimin e qarkullimit të pagesave dhe vendosjen e zgjidhjeve fintech krahas sistemit banker që nga fillimi i vitit 2023, vendosja e sistemit të e-faturave dhe e-fiskalizimit nga DAP-i, si dhe sistemi i shënimit dhe monitorimit të të mirave të akcizës “track and trace” (veçanërisht duhanit dhe pijeve alkoolike) nga Drejtoria doganore, si dhe procese të tjera të dixhitalizimit në këto dy institucione.

Ekonomia gri është dinamike dhe e qëndrueshme, por mund të ulet

Ekonomia joformale është aktivitet që i përshtat shumë shpejt format e saj në mënyra të reja të punës dhe ndryshime të vazhdueshme në mënyrat e veprimit ekonomik dhe modelet e biznesit. Prandaj, lufta kundër ekonomisë gri duhet të jetë proces dinamik, i cili monitoron në mënyrë vigjilente dhe krijon strategji që do ta adresojnë në mënyrë efektive joefikasitetin e sistemit dhe institucioneve në parandalimin e kësaj dukurie. Tendencat e globalizimint, dixhitalizimit, ekonomisë gri ndërkufitare dhe ndryshimet në mënyrën e punës dhe modelet e biznesit mbeten edhe më tej sfida, që duhet të përfshihen në strategjitë për ta luftuar këtë dukuri.

Prandaj, vazhdimisht realizohen aktivitete për uljen e ekonomisë joformale dhe formalizimin e mëtejshëm të tyre, sepse është një hap kyç në vendosjen e ekonomisë funksionale në treg, mundësi të barabarta për punë dhe konkurrencë të mirë. Formalizimi i ekonomisë joformale dhe luftimi i evazionit tatimor do të sjellë rritjen e të hyrave tatimore dhe kështu edhe mundësinë e vendit dhe institucioneve për të ofruar shërbime më të mira dhe siguri më të madhe sociale të qytetarëve.

Gjithashtu, qëllimi është rritja e drejtësisë së sistemit tatimor, përmirësimi i besimit ndërmjet agjentëve ekonomikë, vendit dhe qytetarëve dhe përforcimi i moralit tatimor. Formalizimi i ekonomisë joformale ka rëndësi të madhe për qytetarët e kategorive më të ndjeshme, gjë që u mundëson atyre të përmirësojnë mbrojtjen dhe sigurinë e tyre sociale dhe t’u ofrojnë atyre qasje në benefite të tjera që rezultojnë nga marrëdhënia e punës.

Këtu, si histori suksesi, do ta veçoj projektin TVSH-ja ime, ku pothuajse për katër vite marrin pjesë dhjetëra mijëra qytetarë dhe ndihmojnë në uljen e ekonomisë gri. Në këtë mënyrë forcohet morali tatimor i qytetarëve. Të gjithë ata që skanojnë janë në një farë mënyre inspektorë dhe kompensimi që marrin me kthimin e TVSH-së është vetëm një gjë simbolike krahasuar me përfitimet që mund të jepen më tej përmes shërbimeve publike. Nga viti i ardhshëm tashmë planifikohet që të rritet kthimi mujor i TVSH-së dhe në këtë mënyrë të motivohen edhe më shumë qytetarët në luftën kundër ekonomisë gri.

Në uljen e ekonomisë joformale, përveç vendit, duhet të përfshihen edhe vetë subjektet ekonomike dhe qytetarët. Kjo mund të bëhet përmes vendimit personal për të mos marrë pjesë në ekonominë joformale duke kërkuar llogari fiskale ose faturë për çdo pagesë të kryer.

“Nuk ia vlen të jesh pjesë e ekonomisë gri”.

Sipas logjikës ekonomike, nëse duam ta ulim ekonominë joformale, duhet ta bëjmë atë ekonomikisht “jo atraktive”. Resprektivisht, ekonomia joformale duhet bërë jofitimprurëse me qëllim të uljes së interesit për të qëndruar në atë zonë ose thënë në terma ekonomike dhe profesionale, duhet të rritet kostoja oportune e ekonomisë joformale, gjegjësisht të rritet përfitimi i humbur, benefitet që do të kenë nëse përfshihen në sektorin formal. Kjo mundësohet duke vepruar nga njëra anë përmes rritjes së kostove të sektorit joformal ose rrezikut të veprimit në sektorin joformal dhe nga ana tjetër përmes rritjes së benefiteve në sektorin formal.

Reduktimi i burokracicë dhe forcimi i institucioneve

Krahas këtyre përfitimeve dhe kostove financiare, gjithashtu ndikim të dukshëm në nivelin e ekonomisë joformale ka edhe përmirësimi i klimës afariste dhe përforcimi i kapaciteteve institucionale, reduktimi i burokracisë dhe rritja e efikasitetit të institucioneve, përfshirë shërbimet inspektuese, si dhe thjeshtësimi i procedurave të regjistrimit dhe të bërit biznes.

Do të theksoj se, forcimi i sektorit formal është sinjal i fuqishëm si për investitorët vendas ashtu edhe për ata të huaj. Ata duhet të njohin një sistem të fuqishëm dhe të besueshëm që është i drejtë për të gjithë dhe mbron subjektet në të. Si ekonomi, kemi shumë për të ofruar dhe këtë e kanë të qartë edhe investitorët e huaj, të cilët dëshmuan se edhe në krizën më të madhe investojnë tek ne. Shembull i mirë për këtë janë dy investimet gjermane me kapacitetet të lartë prodhues të teknologjisë, nëri filloi dje me ndërtimin e një fabrike prej 130 milionë eurove, e cila do të punësojë 900 punëtorë dhe do të prodhojë automjete elektrike dhe investimi tjetër prej 126 milionë eurove në industrinë farmaceutike, promovuar në muajin qershor të këtij viti. Lufta kundër ekonomisë joformale ka shumë rëndësi për t’i dhënë siguri shtesë ekonomisë që të vazhdojë të jetë destinacion i dëshiruar për markat e huaja, të cilat nga ana e tyre sjellin shumë benefite ekonomike.

Kësaj liste do t’ia shtonim edhe rëndësinë e posedimit të një sistemi tatimor të thjeshtë dhe efikas, por sigurisht edhe avancimin e standardeve të kontabilitetit (të parapara në ligjin e ri të miratuar në Kuvend gjatë muajit të kaluar), si dhe programet inovative për lidership dhe ndërmarrësi që do të kontribuojnë në përmirësimin e procesit të vendimmarrjes dhe rrjedhimisht konkurrencës së tyre dhe performancës në punë. Natyrisht, rol të rëndësishëm do të luajë përforcimi i moralit tatimor dhe ndërgjegjësimi i opinionit publik për implikimet e ekonomisë joformale dhe njëkohësisht informimi për mundësitë e secilit për të kontribuar në uljen e kësaj dukurie, duke përmirësuar kështu cilësinë e jetesës.

Para se ta përfundoj këtë kolumnë, do potencoj edhe një herë atë që kam shkruar në kolumnën paraprake, por e kam përsëritur edhe në diskutime publike se reformat tatimore nuk janë qëllim në vetvete apo vetëm për arsye fiskale, por me atë përpiqemi të kemi transparencë, efikasitet dhe drejtësi më të madhe në sistemin tatimor, që do të jetë në funksion të rritjes ekonomike dhe përmirësimit të cilësisë së jetesës.

Me këtë dhe së bashku me reformat në anën e shpenzimeve të buxhetit, rregullat fiskale dhe përmirësimin e menaxhimit të financave publike sipas konceptit të financave SMART do të sigurojmë përkrahje më të madhe për ekonominë dhe nxitje për investime, rritje të konkurrencës me përkrahjen e investimeve në hulumtime dhe zhvillim, transformim të gjelbër, dixhitalizim, si dhe përkrahje për kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve, sigurim të shëndetësisë dhe arsimit më cilësor, përforcim të kapitalit njerëzor, por edhe përmirësim të infrastrukturës. Të gjitha këto përmes një procesi transparent dhe llogaridhënës ku buxheti me kornizën e tij afatmesme do të hartohet në bazë të konceptit “vlera e parasë” (value for money) dhe mjetevr të monitorimit sipas treguesve kryesorë të performancës së politikave të buxhetit (key performance indicators).

Në fund, do të theksoja se, nëse secili paguan pjesën e tij të drejtë të detyrimeve, jo vetëm që të gjithë do të paguajmë më pak së bashku, por do të jetojmë edhe më mirë, duke ndarë benefitet e sistemit më të mirë që do e ndërtojmë së bashku.
“Mos pyesni se çfarë mund të bëjë vendi juaj për ju – pyesni se çfarë mund të bëni ju për vendin tuaj.” (J. Kennedy)

Related posts

Ali Ahmeti priti ambasadorin italian Silvestri: Ndërhyrja ndaj gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes së Ohrit rëndon situatën

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot  në Tetovë,  priti ambasadorin e Italisë në vendin tonë z. Andrea Silvestri. …

30 vjetori i UÇK-së, Ahmeti: Tre shkronjat e arta sollën kthesën historike në fatin e kombit shqiptar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka qëndruar në Prishtinë së bashku me veprimtarë të çështjes kombëtare e atdhetarë kanë…

Gjuha shqipe është vija që nuk duhet dhe nuk guxon të kapërcehet!

Teksa afrohet dita e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e Ligjit për Gjuhët, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paralajmëron edhe një…