Zëvendës kryetari i parë i Qeverisë, Artan Grubi ka reaguar rreth
polemikave të krijuara në opinion rreth dhënies së objektit të vjetër të
Shkollës së Mesme Medicinale në Tetovë në shfrytëzim të Agjencisë për
kadastër të patundshmërive duke potencuar se vendimi i miratuar nga ana
e Qeverisë nuk është ndërmarrë me asnjë tendencë negative.
Grubi ka sqaruar se një vendim i këtillë fillimisht është miratuar në
vitin 2021 me kërkesë të Agjencisë në kohën kur kryetare e komunës ishte
Teuta Arifi dhe se po të njejtin vit me kërkesë të komunës këto hapësira
janë rikthyer në dispozicion të shkollës. Ai ka sqaruar se Agjencia për
kadastër të patundshmërive ka ripërsëritur kërkesën e njejtë këtë vit me
arsyetimin se ekzistojnë hapësira të pashfrytëzuara dhe Qeveria njësoj
si në viti 2021 pa asnjë tendencë negative ka miratur sërish vendimin.
Zëvendës kryetari i parë i Qeverisë, Artan Grubi ka potencuar se për
Qeverinë zëri dhe vullneti i tetovarëve është vendimtar, prandaj nga e
marta do të ndërmerret vendimi për rikthimin e këtyre hapësirave në
shërbim të Shkollës së Mesme Medicinale në Tetovë.
Në vazhdim prononcimi i plotë i Zëvendës kryetarit të Qeverisë në faqen
e tij të rrjetit social Facebook:
Vullneti i tetovarëve në rend të parë!
Të nderuar qytetarë,
Lidhur me polemikat e ngritura sot në opinion rreth dhënies së godinës
së vjetër të Shkollës medicinale në Tetovë në shërbim të Agjencisë për
kadastër të patundshmërive, dëshiroj të jap një sqarim objektiv të
gjithë situatës dhe të sqaroj se në miratimin e këtij vendimi nga ana e
Qeverisë nuk ka asnjë tendencë të qëllimshme.
Një vendim i tillë është ndërmarrë fillimisht me kërkesë të Agjencisë
për kadastër në vitin 2021 gjatë kohës kur me komunën e Tetovës ka
udhëhequr znj. Teuta Arifi.
Qeveria asokohe ka shqyrtuar arsyeshmërinë e kësaj kërkese për të
plotësuar nevojat hapësinore të Agjencisë për kadastër që ka ruajtur
dokumentacionet në hapësira joadeakute dhe ka ofruar shërbime në kushte
jodinjitoze për qytetarët e Tetovës dhe ka miratuar vendimin, por me
kërkesë të komunës edhe ka rikthyer hapësirat në dispozicion të
shkollës.
Kërkesa gjatë këtij viti është ripërsëritur nga ana e Agjencisë për
kadastër me arsyetimin se ekzistojnë hapësira të pashfrytëzuara.
Pa asnjë tendencë negative ashtu si në 2021, Qeveria ka miratuar
vendimin që ato hapësira ti kalojnë në shfrytëzim të agjencisë në fjalë
për t’ju shërbyer tetovarëve.
Por, duke qenë gjithmonë në shërbim të nevojave të qytetarëve, potencoj
se kërkesa e prindërve dhe nxënësve për nevojën e shfrytëzimit të atyre
hapësirave është absolutisht prioritare për mua dhe për qeverinë, andaj
dhe pa asnjë hamendje Qeveria do të rikthejë në dispozicion të tyre
godinën e vjetër të Shkollës medicinale në Tetovë që ditën e martë ashtu
siç vepruam edhe para një viti.
Ne i shërbejmë qytetarëve tanë pa asnjë rezervë dhe nuk kemi mendje të
robëruar e as shpirt të djallëzuar për t’ju marrë hak qytetarëve ose
institucioneve, këtë e kemi dëshmuar në 21 vitet e kaluara dhe kjo nuk
ka për të ndryshuar ndonjëherë.