Zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bekim Rexhepi në emisionin debativ “Polemikë” në Televizionin Koha theksoi se si dikaster nga ardhja e tij në këtë pozitë është rritur përqindja dhe investimi në vendbanimet shqiptare, ndërkohë që kjo shifër në projekte të ndryshme kap shumën prej 4 milionë e 600 mijë euro.
“Si ministri e Transpotit kemi programën e punës, kemi programën për rrugë lokale që financohet nga Banka Botërore dhe ajo që financohet nga buxheti dhe gjithë këto nga momenti që kam marrë mandatin kam shqyrtuar investimet që janë bërë më herët dhe nga analiza dolëm se në të kaluarëen është investuar nga 10 deri në 15% ndërsa tani është arritur që në vendbanimet shqiptare të kemi një rritje prej 50% respektivisht 4 milionë e 600 mijë euro dhe kjo është kontribut i dhënë nga ana e Qeverisë dhe ministrisë përkatësisht”, tha kështu Rexhepi.
Ndërkohë që në lidhje me punimet në fshatin Pallçisht të Poshtëm të komunës së Bogovinës, Rexhepi tha se ditën e Enjte do e pinë kafen bashkë atje për të filluar punimet.
“Kur dëgjova për protestën u habita sepse tash protestojnë se do të fillojë projekti, cështja është se ju them tash që unë si Zëvendësministër i Transportit së bashku me kryetarin e komunës nëse nuk kemi pengesa objektive kafen e pimë ditën e Enjte në fshatin Pallçisht, i kuptoj banorët e fshatit dhe ky projekt që kanë pritur gati 20 vjet dhe në vlerë prej 277 mijë euro do të bëhet realitet, fjalën që e dhash asnjë presje nuk e luaj se ky projekt është që duhet të fillojë, sipas kontratës afati është 9 muaj por janë projekte që varen nga kushtet klimatike ose pengesa objektive të cilat mund të prolongojnë ose ka mundësi që të përfundohet edhe para kohe sepse janë kontraktues shumë serioz”, theksoi kështu Zëvendësministri Rexhepi.