Republika e Maqedonisë së Veriut i përket familjes evropiane dhe gjithmonë mund të mbështetet në përkrahjen e Bashkimit Evropian. BE-ja është partneri ynë i rëndësishëm në zbatimin e reformave në rrugën drejt integrimit të plotë evropian, në zbatimin e projekteve të rëndësishme dhe prioritare, por sigurisht që rol të rëndësishëm ka edhe aspekti i përkrahjes së politikave dhe masave të zbatuara nga Qeveria në ballafaqimin e krizës. Kjo u theksua në takimin e sotëm të ministrit të Financave, Fatmir Besimi me eurokomesarin për Buxhet dhe Administratë, Johannes Hahn në Bruksel.
Në këtë takim, ministri theksoi përpjekjet e Qeverisë për të reaguar njëkohësisht ndaj sfidave të shkaktuara nga kriza dhe gjithashtu për të vazhduar me politikat që do të sjellin përshpejtim të rritjes ekonomike. U theksua edhe miratimi i Ligjit të ri të Buxheteve, i cili do të sjellë ndryshime thelbësore në menaxhimin e financave publike, si dhe përpjekjet e vazhdueshme të Ministrisë së Financave për përforcimin e transparencës fiskale, si dhe menaxhimin e duhur në përpilimin e Programit të reformave ekonomike, i cili është thelbësor në procesin aderues.
Ministria e Financave i dërgoi KE-së kërkesë për përkrahje makrofinanciare, ku në takim u dha sinjal i qartë se vendi, ashtu si gjatë krizës së Covid-it, mund të mbështetet në përkrahjen e këtij instrumenti.
“Vendi ynë, tre vite radhazi, si e gjithë bota, është në krizë. Pas krizës dyvjeçare të Covid-it, pasoi kriza e energjetike dhe ajo e çmimeve. U miratuan pako masash prej 1.1 miliardë euro për të përkrahur popullsinë dhe biznesin në krizën e Covid-it, si dhe dy pako prej 750 milionë eurosh për ta amortizuar goditjen e krizës aktuale.
Që të sigurohet çmimi i subvencionuar për furnizim me energji elektrike për qytetarët dhe për rreth 70 mijë kompani në tregun e rregulluar, në mënyrë shtesë nga buxheti janë plasuar 240 milionë euro direkt në EMV për prodhimin e energjisë elektrike dhe për sigurimin e energjisë termike.
Me këtë, përkrahja ndaj popullsisë dhe ekonomisë arrin në 1 miliard euro. Ky është presion i madh ndaj buxhetit dhe borxhit publik, por është e rëndësishme që politikat që po zbatojmë identifikohen nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe kemi arritur të sigurojmë financimin dhe ta përmbyllim atë me kosto më të ulët të mundshëm”, tha ministri Besimi.
Në këtë takim ministri Besimi dhe eurokomesari Hahn iu referuan aktiviteteve që po zhvillohen në kuadër të procesit të aderimit të vendit në BE, pas mbajtjes së Konferencës së parë ndërqeveritare dhe fillimit të procesit të skriningut, si dhe të zbatimit të rekomandimeve të theksuara në Raportin e progresit të RMV-së për vitin 2022.