Nuredini: Deponia Rusino bëhet shembull sesi e pamundura bëhet e mundur  

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, së bashku me ambasadoren e Zvicrës Veronique Hulmann dhe kryetarët e nëntë komunave të rajonit të Pollogut, bënë një vizitë në terren në deponinë rajonale Rusino për të parë ecurinë e aktiviteteve të realizuara në kuadër të projektit Menaxhimi i Integruar i Mbeturinave financuar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështje Ekonomike (SECO).

Ministri Nuredini theksoi se faza e parë e projektit, e cila përfshin zbatimin e masave intervenuese në deponinë Rusino, është realizuar me sukses, që është kusht për kalimin në fazën e dytë – ndërtimi i infrastrukturës dhe vendosja e sistemit të menaxhimit të mbeturinave. Për këtë fazë, me rëndësi të madhe është miratimi i Propozim-Ligjit për kredi nga BERZH, që do të ndihmojë komunat të investojnë në vendosjen e sistemit.

“Kjo është faza e parë që po përfundon, ndërsa faza e dytë është vazhdimi i investimit për grumbullimin e mbeturinave nga i gjithë vendi. Ne si ministri kemi përgatitur Propozim-Ligj për kredi nga BERZH. Procedura për këtë Propozim-Ligj edhe pas 5 muajsh është ende në procedurë parlamentare. Me miratimin e ligjit do të mundësohet disponueshmëria e mjeteve që do të investohen në infrastrukturën bazë. Fatkeqësisht, komunat nuk kanë fuqi financiare për të investuar vetë dhe të gjithë jemi të vetëdijshëm për këtë. Përmes mjeteve të kredisë do të ndihmojmë komunat. Është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi në mes komunave të rajonit si dhe bashkëpunimi me pushtetin qendror për të zgjidhur një herë e mirë problemin e grumbullimit dhe menaxhimit të mbeturinave”, tha ministri Nuredini.

Ambasadorja e Zvicrës Veronique Hulmann theksoi se me realizimin e këtij projekti janë arritur rezultate të dukshme si për mjedisin jetësor, ashtu edhe për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.

“Sot pashë se me investimin zviceran në disa muaj ne në fakt bëmë një ndryshim të madh, pas asaj që pashë gjatë vizitave të mëparshme. Puna fizike, puna e makinerive, puna e ekipit këtu me të vërtetë bëri një ndryshim të madh për mjedisin jetësor, për shëndetin publik dhe sigurisht për njerëzit e komunave të rajonit të Pollogut. Tani, siç tha ministri, kjo fazë e parë e projektit do të përfundojë në fund të muajit dhjetor dhe shpresojmë që faza e dytë të fillojë nëse Ligji për kredi nga BERZH kalon në Kuvend. Dhe me atë ligj duhet të kemi edhe grant nga qeveria zvicerane”, tha Hulmann.  

Pas vizitës në terren në Rusino, u mbajt edhe një punëtori ku u prezantuan rezultatet kryesore të projektit, një pasqyrë e zhvillimit të mëtejshëm të sistemit të menaxhimit të mbeturinave të ngurta për rajonin e Pollogut, si dhe qëndrueshmëria e NPP Rusino. Ministri Nuredini theksoi se zbatimi i suksesshëm i këtij sistemi rajonal të menaxhimit të mbeturinave do të shërbejë si shembull për nxitje për rajonet tjera në vend që të vendosin një sistem të tillë të menaxhimit të mberutinave si zgjidhje reale dhe më e mirë, duke theksuar se kjo është rezultat i punës intensive të ministrisë në vitet e kaluara.

“Menaxhimi adekuat, modern dhe i qëndrueshëm i mbeturinave ka qenë një sfidë për vendin tonë për shumë vite. Procesi ishte i gjatë, por ishte e rëndësishme të ngrihej mbi një themel të fortë. Pas 5 viteve punë të përbashkët të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor me përfaqësuesit e 9 komunave nga rajoni i Pollogut, përfaqësues nga Ambasada Zvicerane, konsulentë vendas dhe të huaj, është arritur progres serioz në zgjidhjen e çështjes së menaxhimit të mbeturinave. Gjashtë ligjet e reja për mbeturinat janë të orientuara drejt parimeve të ekonomisë qarkore dhe parandalimit të mbeturinave, gjegjësisht ripërdorimit, riciklimit dhe përpunimit. Me ato definojmë saktë obligimet e vetëqeverisjes lokale, prodhuesve të mbeturinave, subjekteve private dhe qytetarëve, për të përfituar një sistem funksional që do të zbatohet në mënyrë të duhur edhe në praktikë”, tha në fjalimin e tij ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini.

Related posts

30 vjetori i UÇK-së, Ahmeti: Tre shkronjat e arta sollën kthesën historike në fatin e kombit shqiptar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka qëndruar në Prishtinë së bashku me veprimtarë të çështjes kombëtare e atdhetarë kanë…

Gjuha shqipe është vija që nuk duhet dhe nuk guxon të kapërcehet!

Teksa afrohet dita e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e Ligjit për Gjuhët, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paralajmëron edhe një…

Pastrimi etnik në institucione: Shqiptarët nën sulmin e qeverisë pa legjitimitet

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dënon fuqimisht fushatën në vazhdim të diskriminimit etnik dhe “pastrimit institucional” që po vihet në zbatim ndaj…