Besimi: Me kursime dhe rishpërndarje në buxhet janë siguruar 61 milionë euro për ballafaqimin e krizës energjetike dhe të çmimeve

Me kursime në buxhet dhe rishpërndarje mes shfrytëzuesve buxhetorë, siguruam 3.75 miliardë denarë mjete shtesë (61 milionë euro) për ballafaqimin e krizës energjetike, resprektivisht mjete për EMV-në, për prodhimin vendas të energjisë dhe tejkalimin e pasojave të krizës energjetike.

Kjo, siç theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi në Kuvend është paraparë me Propozim vendimin për rishpërndarjen e mjeteve mes shfrytëzuesve buxhetorë të pushtetit qendror dhe ndërmjet fondeve, i cili u miratua sot në Kuvend.

Me këtë vendim rishpërndahen gjithsej 5.15 miliardë denarë, të cilat janë siguruar në bazë të kursimeve në zërat buxhetorë jo prioritar dhe ku ka realizim më të ulët se sa ishte planifikuar, si dhe nga mjetet që nuk janë realizuar në programe sipas CAPEF.

“Qëllimi i rishpërndarjes është që të reagojmë ndaj sfidave të krizës aktuale energjetike dhe asaj të çmimeve. Prandaj, pjesa më e madhe e mjeteve të rishpërndara, 3.75 miliardë denarë, janë destinuar për programin mbi masat për ballafaqim me Covid 19 dhe masat tjera antikrizë, gjegjësisht ato do t’i destinohen EMV-së për prodhimin e energjisë elektrike nga kapacitetet vendase, ku do të mundësohet çmim më i ulët për konsumatorët e fundit të tregut të rregulluar, gjegjësisht për amvisëritë dhe për rreth 70 mijë kompani, si dhe mjete për masat e reja antikrizë”, theksoi ministri.

Me këtë vendim, siç shtoi ministri, parashihen mjete shtesë për komunat, projekte në mjedisin jetësor e të ngjashme.

291 milionë denarë mjete shtesë janë siguruar për komunat përmes granteve nga TVSH-ja. Gjegjësisht, vetëqeverisjet lokale do të përfitojnë edhe 0.5% të TVSH-së së arkëtuar në vitin paraprak.

Mjetet financiare, sipas ndryshimeve të fundit të Ligjit të Financimit të Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, do të shpërndahen në dy pjesë të reja, 0.25% për pjesën e performancës dhe 0.25% për pjesën e barazimit, përkatësisht mjete financiare për përmirësimin e kapacitetit fiskal dhe rritjen e të hyrave të komunave.

Gjithashtu, do të sigurohen 2.25 milionë denarë për përmirësimin e kushteve në institucionet ndëshkuese – korrektuese, 200 milionë denarë për ZZHTI-në për përkrahjen e investimeve dhe aktivitetet ndërtimore, do të sigurohen mjete shtesë në disa nënprograme për mbrojtjen e mjedisit jetësor, si dhe 60 milionë denarë për masat lidhur me kontrollin dhe zhdukjen e sëmundjes së murtajës afrikane të derrave.

Për mbrojtjen e Liqenit të Dojranit janë siguruar mjete financiare në vlerë prej 20 milionë denarëve, përkatësisht mjete financiare të nevojshme për energji elektrike sa i përket funksionimit të pandërprerë të hidrosistemit të Liqenit të Dojranit. 

Mjetet sigurohen nga kursimet, mes të tjerash, përmes reduktimit të shpenzimeve joproduktive tek disa shfrytëzues buxhetorë, po ashtu edhe reduktimit të shërbimeve kontraktuese, blerjes së automjeteve, mobilieve, udhëtimeve zyrtare dhe të ngjashme.

Kjo është vetëm vazhdimësi në atë që po ndërmerr Qeveria nga fillimi i kësaj krize, dhe miratohen vendime në bazë të analizës së thellë të gjendjes, si dhe sipas nevojave të theksuara.

Me rishikimin e Buxhetit të vitit 2022 u siguruan 4.7 miliardë denarë për krizën energjetike, tani me këtë Vendim janë siguruar 3.75 miliardë denarë mjete shtesë të cilat do të shfrytëzohen për të reaguar ndaj sfidave të krizës energjetike dhe të çmimeve, për të dalë nga kriza me sa më pak pasoja.

Related posts

30 vjetori i UÇK-së, Ahmeti: Tre shkronjat e arta sollën kthesën historike në fatin e kombit shqiptar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka qëndruar në Prishtinë së bashku me veprimtarë të çështjes kombëtare e atdhetarë kanë…

Gjuha shqipe është vija që nuk duhet dhe nuk guxon të kapërcehet!

Teksa afrohet dita e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e Ligjit për Gjuhët, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paralajmëron edhe një…

Pastrimi etnik në institucione: Shqiptarët nën sulmin e qeverisë pa legjitimitet

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dënon fuqimisht fushatën në vazhdim të diskriminimit etnik dhe “pastrimit institucional” që po vihet në zbatim ndaj…