Sot, ministri i Financave, Fatmir Besimi, mori pjesë në Bruksel në skriningun bilateral, dedikuar Kapitullit 32 në lidhje me kontrollin financiar, për të cilin Ministria e Financave është institucion kryesues.
“Përmirësimi i menaxhimit të financave publike në kontinuitet është ndër prioritetet kryesore të Qeverisë, i cili është gjithashtu edhe prioritet për aderimin në BE. Si pjesë e reformës në administratën publike ky prioritet është një nga kriteret kryesore për vlerësimin e progresit të Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt BE -së.
Procesi i arritjes së këtij prioriteti nënkupton përafrimin e legjislacionit tonë me standardet e BE-së, përmirësimin e kapaciteteve njerëzore dhe përmirësimin e sistemit të përgjithshëm të menaxhimit të financave publike, ndërsa udhëhiqet përmes Programit të menaxhimit të financave publike 2022-2025, i cili bazohet në konceptin SMART financa, si dhe Strategjinë nacionale për luftën kundër mashtrimit dhe mbrojtjen e interesave financiare të BE-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut 2022-2025 e miratuar nga qeveria”, theksoi ministri Besimi.
Ministri Besimi shtoi se me programin e ri lidhur me reformën e menaxhimit të financave publike synohet përmirësimi i kornizës fiskale afatmesme, përforcimi i procesit të planifikimit buxhetor, përforcimi i sistemit të prokurimeve publike, si dhe përmirësimi i kontrollit të brendshëm dhe të jashtëm, përmes rritjes së transparencës dhe llogaridhënies gjatë punës.
Si pjesë e reformës në fjalë, u miratua Ligji i Buxheteve, me të cilin vendoset baza e politikës fiskale bashkëkohore, përmirësohen projeksionet fiskale afatmesme dhe rritet transparenca. Kjo reformë u theksua edhe në Raportin e BE-së lidhur me progresin e RMV-së.
Ministri Besimi, theksoi se edhe në periudhën e kaluar janë bërë shumë përpjekje për harmonizim të mëtejshëm të legjiclacionit nacional me atë evropian në këtë fushë dhe janë zbatuar shumë aktivitete reformuese për të cilat kemi përkrahje nga BE-ja.
Republika e Maqedonisë së Veriut, siç dekalori Besimi, do të vijojë me aktivitetet reformuese. Fokusi do të jetë mbi miratimin e Ligjit të ri të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik, mjetet metodologjike dhe fillimin e zbatimit të tyre me qëllim të përmirësimit të transparencës, përgjegjësisë menaxheriale dhe menaxhimit të mirë me mjetet publike, si dhe mbi miratimin e Propozim ligjit të Revizionit Shtetëror, i cili duhet ta përmirësojë bashkëpunimin ndërmjet Entit Shtetëror të Revizionit dhe Kuvendit të RMV-së, ta përmirësojë kontrollin parlamentar mbi zbatimin e buxhetit dhe monitorimin e rekomandimeve të Entit Shtetëror të Revizionit, të sigurojë vendosjen dhe funksionimin efikas së rrjetit koordinues në luftën kundër mashtrimeve, si dhe ta përmirësojë parandalimin, menaxhimin dhe raportimin e parregullsive që tangojnë fondet e BE-së.
Në këtë takim në kuadër të skriningut bilateral u prezantua gjendja, harmonizimi dhe plani i mëtejshëm për harmonizimin në fushën e kontrollit të brendshëm financiar publik, revizionin e jashtëm, mbrojtjen e interesave financiare të BE-së dhe mbrojtjen e euros.
Dje, ministri i Financave, Fatmir Besimi në Bruksel mori pjesë në skriningun bilateral dedikuar kritereve financiare. Skriningu bilateral është hapi i parë në procesin e negociatave për aderimin në BE. Skriningu u mundëson vendeve kandidate të njihen me ligjet dhe standardet e BE-së dhe me detyrimet që rezultojnë nga to, si dhe me nivelin e gatishmërisë së vendeve dhe planet e tyre për harmonizim të mëtejshëm. Në këtë proces, Ministria e Financave është institucion kryesues në tetë fusha, përkatësisht kapituj në katër klasterë nga gjithsej gjashtë të tillë në këtë proces.