Ministrat Nuredini, Kumbaro, Aliu dhe nënshkruajnë marrëveshjen për parkun më të madh ndërkufitar në Europë

Parku Kombëtar i Mavrovës dhe Parku Kombëtar Malet e Sharrit në Maqedoninë e Veriut,  Parku Natyror Korab-Koritnik në Shqipëri dhe Parku Kombëtar Sharri në Kosovë do të jenë së shpejti pjesë e një parku ndërkufitar, më i madhi i këtij lloji në Europë me një sipërfaqe mbi 242 mijë hektarë.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Maleve është zhvilluar në Tiranë takimi ndërministror  mes Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Maqedonisë së Veriut Naser Nuredini, Ministres së Mjedisit dhe Turizmit Mirela Kumbaro dhe Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të Kosovës Liburn Aliu.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i Maqedonisë së Veriut Naser Nuredini foli për një vizion që mbron vlerat natyrore të zonave të mbrojtura, por nga ana tjetër siguron një menaxhim të qëndrueshëm duke mos i kthyer ato në muze të natyrës, por krijojnë mundësi të reja për zhvillimin socio-ekonomik të komuniteteve lokale.

“Lidhja natyrore ndërkufitare e zonave të mbrojtura  të Parkut Natyror Korab–Koritnik në Shqipëri, Parkut Kombëtar të Mavrovës dhe Parkut Kombëtar Malet e Sharrit në Maqedoninë e Veriut, si dhe Parku Kombëtar Sharri në Kosovë, hap mundësi të reja për mbrojtje më të madhe të florës dhe faunës, duke u përballur më mirë me veprimet ilegale, monitorim më të mirë, mundësi më të mëdha për zhvillimin e eko-turizmit dhe formave alternative të turizmit”, tha Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini.

“Ne i shohim zonat e mbrojtura si ofrues të përfitimeve përtej kufijve – përtej kufijve të tyre në një hartë, përtej kufijve të shteteve kombëtare – midis shoqërive dhe brezave që jetojnë në këto zona. Këto vargmale shërbejnë si një korridor ekologjik, që strehon një numër të madh llojesh të rëndësishme bimësh e kafshësh, jo vetëm në nivel rajonal por edhe në nivel europian e ndërkombëtar, siç është për shembull brezi i gjelbërt europian. Përsa i përket turizmit, i shohim zonat e mbrojtura si një mundësi shumë e mirë për zhvillimin e ekoturizmit me gjithë format e tij”, u shpreh Ministrja Kumbaro.

Sipas ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të Kosovës Liburn Aliu, ky projekt do të ofrojë një optikë të re për zhvillimin e zonës së bjeshkës së Sharrit.

“I kemi këta kufij në mes dhe kemi dëshira për përfitime nga kompani të ndryshme që duan të depërtojnë dhe të ndërtojnë në atë zonë. Detyra jonë është që të vendosim rregulla duke pasur parasysh të kaluarën në mënyrë që edhe të zhvillohemi, edhe ta shfrytëzojmë, por edhe ta mbrojmë atë çka është mjaft e vlefshme. Në vitin 2013 e kemi rritur territorin e Parkut Kombëtar të Sharrit në 53.469 hektarë”, u shpreh ministri Aliu.

Ministri Aliu u shpreh se përveç destinacionit turistik të Brezovicës, ka një plan hapësinor për të zhvilluar zona të tjera të turizmit malor dimëror, por edhe veror, në përputhje me kriteret e mbrojtjes së natyrës.

Ky projekt mes tre vendeve synon zhvillimin e përbashkët ndërkufitar i turizmit miqësor ndaj natyrës, menaxhim i përbashkët ndërkufitar i rajonit, promovimin e përbashkët të trashëgimisë së veçantë natyrore dhe kulturore përtej kufijve etj. Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të UNEP, Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara që do të mbështesë këtë projekt. Nga ana tjetër, Daniel Pirushi, Drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura sqaroi se brenda tre muajsh do të ngrihet komiteti i menaxhimit të zonës së mbrojtur që do të nisë punën për këtë projekt.

Related posts

Ali Ahmeti priti ambasadorin italian Silvestri: Ndërhyrja ndaj gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes së Ohrit rëndon situatën

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot  në Tetovë,  priti ambasadorin e Italisë në vendin tonë z. Andrea Silvestri. …

30 vjetori i UÇK-së, Ahmeti: Tre shkronjat e arta sollën kthesën historike në fatin e kombit shqiptar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka qëndruar në Prishtinë së bashku me veprimtarë të çështjes kombëtare e atdhetarë kanë…

Gjuha shqipe është vija që nuk duhet dhe nuk guxon të kapërcehet!

Teksa afrohet dita e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e Ligjit për Gjuhët, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paralajmëron edhe një…