Bashkimi Demokratik për Integrim në tubimin e sotëm në komunën e Tearcës ka vazhduar sot fushatën e saj parazgjedhore duke prezantuar kandidatin për kryetar të kësaj komune Nuhi Nezirin, listën e kandidatëve për këshilltarë të kryesuar nga Besnik Osmani, si dhe programin e punës për mandatin e ri katëvjeçar. Banorëve të Tearcës iu drejtuan kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, kandidati për kryetar komune Nuhi Neziri dhe bartësi i listës për këshilltarë Besnik Osmani. Kryetari i Bashkimit Demokratik përf Integrim Ali Ahmeti në fjalimin e tij ka thënë se Nuhi Neziri do të ketë të gjithë përkrahjen e Bashkimit Demokratik për Integrim drejt fitores së rradhës dhe vazhdimësisë së zhvillimit të Tearcës. Ai ka potencuar edhe rëndësinë e zbatimit të projekteve të agjendës së blertë për të avancuar standardin jetësor të qytetarëve dhe për të ruajtur pasuritë natyrore që posedojmë. “Mos hezitoni po ashtu siç tha edhe Nuhiu ti bindim edhe ata që nuk janë në vijën tonë sepse ne që jemi këtu të gjithë jemi bashkë, por ka edhe të tjerë. Kemi për çka të flisni, keni çka t’ju thoni njerëzve për atë që kemi bërë dhe për atë që do të bëjmë. Asnjëherë nuk e kemi zhgënjyer elekoratin dhe vlerësuesi më i madh se ne nuk e kemi zhgënjy elektoratin, nuk i kemi zhgënjy qytetarët janë fitoret e 18 viteve rradhazi pa asnjë humbje në të gjitha ciklet zgjedhore. Për 18 vite kam investuar në ngritjen e kuadrove sepse kur kemi kuadro gjërat do të shkojnë për së mbari. Unë po u them si vëllau vëllaut ndryshe kam qenë në 2002, 2004, 2006 dhe 2008, sot jam ndryshe ngase ndihem udhëheqësi me të vërtetë më krenar sepse kuadrot tona nuk na turpërojnë, por na nxjerrin faqebardhë, në tryeza ndërkombëtare. Prandaj më 17 Tetor votohet edhe për kuadro, edhe për drejtues, edhe për vazhdimësi, votohet edhe për ardhmëri.” – ka thënë mes tjerash kreu i BDI-së Ali Ahmeti në fjalimin e tij. Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi potencoi se çdo punë që ka filluar Bashkimi Demokratik për Integrim e ka realizuar në tërësi, në 100 % e tyre duke i numëruar të arriturat që mbajnë vulën e BDI-së dhe ka shprehur përkrahjen maksimale të të gjithë ekzekutivit për kandidaturën e Nuhi Nezirit dhe projekteve të programit të tij. “Nuhiu prezantoi programin e vet para jush dhe do ta prezentojë edhe 12 ditët në vijim deri në 17 Tetor kur ju bashkë me familjet e juaja, bashkë me dashamirët e juaj, bashkë në secilin vendbanim të komunës së Tearcës do të rrethoni numrin 13 për Bashkimin Demokratik për Integrim dhe Nuhi Nezirin.Por, Nuhi Neziri nuk është i vetëm nuk e ka përkrahjen vetëm të komunës së Tearcës, degës së Tearcës, bartësit të listës, por e ka mbështetjen e të gjithë neve në ekzekutiv, të cilët me udhëzim të z. Ali Ahmeti duhet ti qëndrojmë prapa çdo premtim të Nuhi Nezirit për komunën e Tearcës.” – u shpreh Grubi. Kandidati për kryetar të komunës së Tearcës, Nuhi Neziri ka numëruar synimet dhe projektet e programit të tij të punës që janë prioritet i tij pas marrjes së besimit nga qytetarët për udhëheqjen e komunës së Tearcës. “Shpesh jam pyetur se pse kam vendosur të kandidohem për kryetar komune. E them me bindje se postin Kryetar Komune nuk e shoh si funksion, por si shërbim. Nuk e shoh si privilegj, por si detyrë e obligim. E shoh si punë dhe angazhim i përbashkët për interesin e përgjithshëm. Shtëpia ime është në Tearcë, gjithmonë me dyer të hapura për të gjithë banorët që kanë ndonjë hall apo problem për të zgjidhur. Telefoni im ka qenë i hapur për të gjithë. Edhe ne rolin e ri ne komune Ju do të më obligoni jo vetëm të vazhdoj të jem i hapur, por edhe më shumë të angazhohem në zgjidhjen e problemeve me të cilat do të ballafaqoheni. ” – ka deklaruar Neziri në fjalimin e tij. Bartësi i listës së këshilltarëve të BDI-së për komunën e Tearcës, Besnik Osmani ka faleminderuar qytetarët e Tearcës për përkrahjen e dhënë dhe emërimin e tij e cilësoi si përgjegjësi për punë me përkushtim dhe transparencë. “Unë zotohem se bashkë me kryetarin do të jemi një binom i pandashëm për realizimin e kërkesave dhe nevojave të çdo qytetari që graviton dhe jeton në komunën e Tearcës pa dallim lokaliteti apo ngjyrimi politik. Nga sot neve na duhet pa hezitim të kërkojmë votën dhe mbështetjen për Bashkimin Demokratik për Integrim. Duhet ta kërkojmë ballëlartë këtë vote, sepse ne kemi dëshmuar se kemi kapacitetin, dijen, guximin dhe kurajon që ti prijmë proceset përpara dhe të ecin proceset në drejtimin e duhur” – tha Besnik Osmani në fjalimin e tij. Bashkimi Demokratik për Integrim do të vazhdojë fushatën parazgjedhore nesër me tubimin që do të mbajë në komunën e Bogovinës, ku do të prezantojë kandidatin për kryetar komune dhe listën e kandidatëve për këshilltarë.