Shkup, 1 korrik 2026
BDI – Konferencë për media
Nebi Rexhepi – Sekretar organizativ
https://www.facebook.com/share/v/1DKm9FZMRe/?mibextid=wwXIfr
Të nderuar qytetarë,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Sot dua të ndalem në dy nga projektet më strategjike infrastrukturore për vendin: Korridorin 8 dhe Autostradën Shkup – Bllacë.
Këto nuk janë thjesht projekte rrugore.
Janë projekte që përcaktojnë drejtimin ekonomik, zhvillimor dhe euroatlantik të vendit tonë. Janë projekte që e lidhin Maqedoninë e Veriut me Republikën e Shqipërisë, Republikën e Kosovës, rajonin dhe Evropën.
Por, mbi të gjitha, këto dy projekte janë dëshmia më e mirë e dallimit mes një qeverie që punon dhe një qeverie që merret me propagandë.
Kur Bashkimi Demokratik për Integrim ishte pjesë e Qeverisë deri në qershor të vitit 2024, këto projekte avancuan me ritme konkrete. U morën vendime politike, u siguruan financimet, u kryen procedurat ligjore, u finalizuan projektet dhe punimet filluan në terren.
Fatkeqësisht, sot po shohim edhe një fenomen tjetër.
Projektet që lidhin vendin me Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës nuk kanë më peshën politike që kishin kur Bashkimi Demokratik për Integrim ishte pjesë e vendimmarrjes.
Kjo nuk është rastësi.
Kur ne merrnim vendime, këto projekte ishin prioritet shtetëror.
Sot ato trajtohen si barrë.
Ky është dallimi mes një qeverisjeje ku shqiptarët kishin peshë reale në vendimmarrje dhe një qeverisjeje ku ata që pretendojnë se i përfaqësojnë shqiptarët nuk kanë forcë as të mbrojnë projektet më strategjike për qytetarët që u kanë dhënë besimin.
Korridori 8
Le t’i rikujtojmë faktet.
Në shkurt të vitit 2023 u plotësuan të gjitha parakushtet ligjore dhe institucionale për fillimin e projektit. Pas negociatave me partnerin strategjik Bechtel-Enka, u nënshkrua marrëveshja për mbikëqyrje, u miratuan konkluzionet në Qeveri dhe filloi procedura e realizimit.
Në mars të vitit 2023 u nënshkrua marrëveshja për ndërtimin e projektit më të madh infrastrukturor në historinë e shtetit, Korridoret 8 dhe 10D.
U plotësuan të gjitha kushtet për ndërtimin e katër segmenteve rrugore strategjike:
- Tetovë – Gostivar;
- Gostivar – Bukojçan;
- Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë;
- Prilep – Manastir.
Ky nuk ishte thjesht një investim në infrastrukturë.
Ishte një investim në zhvillim ekonomik, në vende pune, në lidhje me rajonin, në sigurinë rrugore dhe në të ardhmen evropiane të vendit.
Por çfarë bënte opozita e atëhershme, e cila sot është në pushtet?
Kur BDI siguronte financimin, ata votonin kundër.
Kur u nënshkrua marrëveshja, na akuzuan për korrupsion dhe kriminalitet.
Kur filluan punimet, organizuan fushata kundër projektit.
Madje shkuan aq larg sa e paraqitën Korridorin 8 si kërcënim për identitetin e shtetit dhe si pjesë të një projekti për “Shqipërinë e Madhe”, duke mbjellë frikë, panik dhe ndasi mes qytetarëve. Akuzuan edhe partnerin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sot, edhe pas të gjitha përpjekjeve për ta relativizuar apo ngadalësuar këtë projekt, është bërë e qartë se Korridori 8 nuk mund të ndalet.
Edhe zhvillimet e fundit e konfirmojnë këtë. Vizita e delegacionit të UNESCO-s nuk e vuri në pikëpyetje realizimin e projektit. Përkundrazi, u dëshmua se projekti vazhdon të mbetet prioritet strategjik dhe se çdo diskutim ka të bëjë me aspektet teknike të zbatimit, e jo me ekzistencën e tij.
Pra, edhe kjo qeveri u detyrua të heqë dorë nga përpjekjet për ta vënë në pikëpyetje Korridorin 8 dhe sot vazhdon një projekt që e luftoi politikisht për vite me radhë.
Kjo dëshmon se përpjekjet për ta bllokuar apo zhvlerësuar projektin kanë dështuar.
Korridori 8 mbetet një projekt strategjik, i mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, një projekt që u projektua, u sigurua dhe u vu në lëvizje gjatë kohës kur Bashkimi Demokratik për Integrim ishte pjesë e Qeverisë.
Qytetarët nuk kanë harruar.
Ata e dinë kush e projektoi, kush siguroi financat, kush e nisi dhe kush u përpoq ta ndalte.
Dhe sot po ndodh paradoksi më i madh politik.
Ata që dje e quanin këtë projekt tradhti, korrupsion dhe rrezik për shtetin, sot fotografohen para tij dhe kërkojnë duartrokitje.
Nga sabotues u bënë përvetësues.
Por qytetarët nuk mashtrohen kaq lehtë.
Propaganda mund ta ndryshojë fjalimin, por nuk e ndryshon historinë.
Historia e Korridorit 8 mban një emër: Bashkimi Demokratik për Integrim.
Autostrada Shkup – Bllacë
Po aq domethënës është edhe rasti i Autostradës Shkup – Bllacë.
Në vitet 2015-2016, me anë të studimeve të fizibilitetit të porositura nga ministria e transportit dhe lidhjeve asokohe, deshën këtë projekt ta vlerësonin si projekt ekonomikisht i vështirë për realizim.
Por Bashkimi Demokratik për Integrim mori vendim politik.
Sepse kishte vizion.
Siguruam financimin.
Siguruam grantet.
Finalizuam strukturën financiare.
Përfunduam shpronësimin.
Përfunduam projektin teknik në nëntor të vitit 2023.
Dy kilometrat e parë u ndërtuan dhe ishin gati për lëshim në përdorim gjatë vitit 2024.
U siguruan mjetet nga BERZH.
U shpall tenderi ndërkombëtar ku aplikuan 11 kompani, prej tyre 10 kompani ndërkombëtare.
Pra, kjo qeveri nuk e gjeti projektin vetëm në letër. Por e gjeti projektin të përfunduar.
Ndërsa e vetmja gjë që bëri, ishte ta pengonte të njejtin.
Për dy vite me radhë angazhoi kompani dhe ekspertë me një qëllim të vetëm: të gjenin argumente që autostrada të mos ishte autostradë.
Tentuan ta shndërronin në rrugë të shpejtë me dy korsi.
Thanë se nuk kishte mjete.
Thanë se projekti ishte i gabuar.
Thanë se duhej ndryshuar traseja.
Thanë se duhej riprojektuar nga fillimi.
Kur panë se as pretendimi për mungesë mjetesh, as ideja për ta shndërruar autostradën në rrugë të shpejtë nuk kalonin, u detyruan të tërhiqen dhe ta pranojnë projektin e përgatitur nga BDI.
Pra, pas dy vitesh propagandë dhe obstruksionesh, përfunduan duke vazhduar procedurat e një projekti që vetë e kishin luftuar.
Por qytetarët paguan çmimin.
Nga këto obstruksione humbën dy vite.
Dy vite zhvillim.
Dy vite investime.
Dy vite kohë.
Dhe sot shtrohet një pyetje shumë e thjeshtë:
Nëse projekti i BDI-së ishte i gabuar, pse po e realizoni?
Nëse ishte i mirë, pse humbët dy vite duke e penguar?
Përgjigjja është e thjeshtë.
Sepse kjo qeveri nuk ka vizion për ta ndërtuar.
Kishte vetëm dëshirë ta zhbënte gjithçka që ishte bërë para saj.
Por projektet strategjike nuk mund të zhbëhen me propagandë.
Ato kërkojnë guxim politik, partneritet ndërkombëtar dhe vendimmarrje.
Pikërisht ato që BDI i kishte dhe që kësaj qeverie i mungojnë.
Të nderuar,
Këto janë fakte.
Jo propagandë.
Ne nuk po kërkojmë merita.
Po kërkojmë përgjegjësi.
Prandaj, në emër të Bashkimit Demokratik për Integrim, i drejtojmë Qeverisë disa pyetje publike:
- Pse ende nuk janë lëshuar në përdorim dy kilometrat e përfunduar të Autostradës Shkup – Bllacë?
- Kush mban përgjegjësi për dy vitet e humbura?
- Pse u shpenzuan para publike për analiza dhe ekspertiza që kishin vetëm një qëllim: ta vononin projektin?
- Dhe mbi të gjitha, pse zvarriten pikërisht projektet që lidhin vendin tonë me Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës, projekte të nisura dhe të siguruara gjatë kohës kur Bashkimi Demokratik për Integrim ishte pjesë e Qeverisë?
E vërteta është vetëm një.
Korridori 8 dhe Autostrada Shkup – Bllacë mbajnë vulën e Bashkimit Demokratik për Integrim.
Ne i projektuam.
Ne siguruam financimin.
Ne krijuam partneritetet ndërkombëtare.
Ne i nisëm.
Kjo qeveri, në vend që të ndërtojë mbi atë që ishte arritur, humbi dy vite duke luftuar projekte që sot është detyruar t’i vazhdojë.
Dhe kjo është pasoja e një qeverisjeje ku zëri politik i shqiptarëve është zëvendësuar me heshtje.
Ata që u premtuan shqiptarëve se do t’i përfaqësonin më mirë, sot nuk kanë arritur as të mbrojnë projektet më strategjike që lidhen me Shqipërinë dhe Kosovën.
Bashkimi Demokratik për Integrim nuk do të lejojë që historia të rishkruhet.
Sepse historia nuk shkruhet me fotografi para kantierit.
Historia shkruhet me vizion, me vendime dhe me punë.
Dhe qytetarët e dinë shumë mirë se kush ndërtoi dhe kush pengoi.
Dhe, meqë po flasim për infrastrukturën, nuk mund të mos ndalemi edhe te “rekordet” e VLEN-it.
Jo te ato që i tregojnë sot në konferenca për shtyp.
Por te ato që ua premtuan shqiptarëve në programin e tyre zgjedhor.
E lexon programin e VLEN-it dhe krijon përshtypjen se për dy vite do të ndërtohej gjysma e Ballkanit.
Premtuat përmirësim rrënjësor të lidhjeve rrugore me Shqipërinë dhe Kosovën.
Ku është ai përmirësim? Apo ka mbetur vetëm në faqet e programit?
Premtuat rrugën Tetovë – Prizren brenda dy viteve kalendarike.
Kaluan dy vite. Ku është rruga? A ka filluar qoftë edhe një metër? Apo ende po kërkoni pikën nga ku duhet të fillojë?
Premtuat hapjen e pikëkalimit Llojan – Miratoc.
A mund t’u tregoni qytetarëve se në cilën sirtar të cilës ministri ka mbetur ky premtim?
Premtuat rrugën Dibër – Peshkopi.
Në cilën fazë është? Në fazën e projektimit? Në fazën e studimit? Apo ende në fazën e fjalimeve elektorale?
Premtuat Portin e Thatë në Strugë.
Sot, pas dy vitesh, a ekziston ndonjë gjurmë e tij, përveç një paragrafi në programin zgjedhor?
Premtuat hekurudhën moderne Shkup – Prishtinë dhe Shkup – Strugë – Durrës.
Ku janë projektet? Ku janë financimet? Ku janë punimet?
Apo edhe hekurudha po udhëton vetëm në imagjinatën e autorëve të programit?
Shqiptarët nuk kanë votuar për katalogë dëshirash.
Kanë votuar për rezultate.
Sot, pas dy vitesh, bilanci është brutal.
Projektet që i gjetët të gatshme nga qeveria ku ishte Bashkimi Demokratik për Integrim i bllokuat, i kontestuat dhe i vonuat.
Projektet që i premtuat vetë… nuk arritët as t’i filloni.
Prandaj, sot pyetja nuk është se pse nuk u realizuan premtimet.
Pyetja është: a ka pasur ndonjëherë ndërmend dikush t’i realizojë?
Sepse duket sikur programi zgjedhor nuk ishte shkruar për të qeverisur.
Ishte shkruar vetëm për të fituar vota.
Dhe në fund doli se gjëja më e shpejtë që ndërtuat nuk ishte asnjë rrugë.
Ishin premtimet dhe gënjeshtart që ua servuat shqiptarëve!
Ju faleminderit!
