BDI: Pa asnjë drejtor shqiptar, me zëvendësdrejtor të paligjshëm! Pse po heshtë Këshilli politik i RTVM-së

Kanë kaluar shtatë ditë nga emërimi i paligjshëm i zëvendësdrejtorit të Radio Televizionit të Maqedonisë së Veriut dhe, për shtatë ditë me radhë, vazhdon heshtja e Këshillit politik Programor të RTVM-së. Asnjë sqarim. Asnjë përgjigje. Asnjë përpjekje për të arsyetuar një vendim që është në kundërshtim me ligjin dhe me standardet elementare të administrimit të një institucioni publik.

Personi i emëruar nuk i plotëson kushtet ligjore për ushtrimin e funksionit. Përvoja e punës që i është llogaritur është krijuar para përfundimit të arsimit universitar, ndërsa dokumentacioni publik tregon se provimin e fundit e ka dhënë në vitin 2024. Për më tepër, edhe rezultatet akademike të tij nuk përmbushin standardet që priten për drejtimin e institucionit më të rëndësishëm mediatik në vend. Megjithatë, Këshilli Programor vendosi të shpërfillë ligjet dhe të imponojë një emërim të paligjshëm.
Po aq shqetësuese është edhe heshtja për përjashtimin e shqiptarëve nga strukturat drejtuese të RTVM-së. Për herë të parë që nga viti 2007, Radio Televizioni i Maqedonisë së Veriut nuk ka asnjë drejtor shqiptar.

Përveç drejtorit të përgjithshëm dhe zëvendësdrejtorit, RTVM ka edhe drejtorin e Televizionit dhe drejtorin e Radios. Për gati dy dekada, njëra nga këto pozita ka qenë e përfaqësuar nga kuadro shqiptarë, si pjesë e balancës etnike në vendimmarrje dhe karakterit shumëetnik të institucionit. Sot, të dy këto pozita drejtuese mbahen nga kuadro maqedonas.

Shqiptarët mungojnë edhe në kabinetin e drejtorit, ku në katër pozitat e këshilltarëve, nuk është emëruar asnjë përfaqësues shqiptar.
Ky nuk është më një rast i izoluar. Ky është një model i qartë i përjashtimit sistematik dhe i kapjes politike të servisit publik. Prandaj, sot i bëjmë thirrje publike institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që të mos heshtin përballë këtij rasti.

I bëjmë thirrje Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë të reagojë dhe të mbrojë profesionalizmin, integritetin institucional dhe pavarësinë e servisit publik. I bëjmë thirrje Zyrës së Bashkimit Evropian në Shkup të monitorojë këtë rast, pasi kapja politike e medias publike dhe emërimet në kundërshtim me ligjin janë në kundërshtim me standardet evropiane për sundimin e ligjit, pavarësinë institucionale dhe lirinë e medias.

I bëjmë thirrje Prokurorisë Publike që të hapë procedurë për të verifikuar ligjshmërinë e këtij emërimi dhe përgjegjësinë e të gjithë atyre që kanë marrë pjesë në vendimmarrje.

Po ashtu, i bëjmë thirrje Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit që të hetojë nëse në këtë proces janë shkelur dispozitat ligjore, janë tejkaluar kompetencat apo është favorizuar një kandidat që nuk i plotësonte kushtet ligjore.

Në një shtet demokratik, askush nuk mund të jetë mbi ligjin. Servisi publik nuk është pronë e një partie politike dhe nuk mund të shndërrohet në instrument të pushtetit përmes emërimeve të paligjshme dhe përjashtimit etnik. BDI do të vazhdojë të përdorë të gjitha mjetet ligjore, institucionale dhe demokratike për të mbrojtur ligjshmërinë, profesionalizmin dhe karakterin shumëetnik të Radio Televizionit të Maqedonisë së Veriut.

Related posts

BDI: Kosmopolitit Shasivari i duhet kohë për provimin e jurisprudencës në shqip kurse nxitoi ta paragjykojë aktgjykimin e Hagës

Për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, edhe pas kërkesave të përsëritura të studentëve dhe protestave, ministrit Jeton Shasivari i duhet kohë,…

BDI: Kush po e mbron Stoilkoviqin? Kuvendi duhet të nxjerrë të vërtetën.

Shkup, 23 shtator 2026 BDI – Konferencë për media Ilir Hasani – Deputet & Anëtar i Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm të…

BDI: Një javë heshtje pas aktgjykimit, Shasivari duhet të japë dorëheqje

Ka kaluar një javë nga shpallja e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ende nuk ka dhënë…