BDI: Skandal i paprecedentë: Qeveria VMRO–VLEN ia ndau komunitetit serb rreth 90% të granteve të destinuara për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

Ajo që u konfirmua publikisht nga vetë përfaqësuesit e Qeverisë përbën një skandal të paprecedentë dhe një alarm serioz për drejtimin në të cilin po shtyhet shteti.

Qeveria në të cilën VLEN u përzgjodh nga VMRO-DPMNE-ja si partneri më i përshtatshëm dhe më i dëgjueshëm, rreth 90 për qind të mjeteve nga programi për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit ia ka ndarë organizatave të komunitetit serb.

Marrëveshja e Ohrit, e arritur pas sakrificës dhe luftës politike të shqiptarëve për barazi, sot po përdoret nga kjo Qeveri për të financuar prioritetet politike dhe ideologjike të një komuniteti tjetër, ndërsa shqiptarëve u suprimohen mekanizmat e përfaqësimit, u hiqet gjuha nga institucionet, largohen nga pozitat drejtuese dhe zëvendësohen në administratën shtetërore.

Kur afërsisht 90 për qind e një programi përfundon në një drejtim të vetëm, kemi të bëjmë me një politikë të paramenduar të Qeverisë.

Ngjarja bëhet edhe më alarmante në një kohë kur ndikimi politik, institucional, kulturor dhe mediatik i projektit të ashtuquajtur “Bota Serbe” është gjithnjë e më i dukshëm në Maqedoninë e Veriut. Institucionet po vendosen gradualisht në shërbim të një agjende që e largon vendin nga karakteri i tij multietnik, nga fryma e Marrëveshjes së Ohrit dhe nga orientimi euroatlantik.

VLEN duhet t’u përgjigjet sot shqiptarëve:

Çfarë përfituan shqiptarët nga përfaqësimi i tyre, kur edhe paratë e Marrëveshjes së Ohrit u jepen pothuajse tërësisht të tjerëve?

VLEN nuk është më vetëm spektator i degradimit të shqiptarëve. Është pjesë aktive e mekanizmit që po e realizon atë.

BDI kërkon publikimin e menjëhershëm të listës së plotë të përfituesve, shumës së ndarë për secilin projekt, përbërjes së komisionit vlerësues, pikëve të dhëna dhe procesverbalit të vendimmarrjes.

Ky skandal duhet të hetohet institucionalisht dhe politikisht. Marrëveshja e Ohrit nuk mund të shndërrohet në instrument për avancimin e “Botës Serbe”, ndërsa shqiptarëve t’u merret çdo ditë nga një e drejtë.

Heshtja e VLEN-it përballë këtij skandali është konfirmimi më i qartë se pse VMRO-DPMNE-ja i zgjodhi pikërisht ata si partnerë në Qeveri.

Related posts

BDI: Kosmopolitit Shasivari i duhet kohë për provimin e jurisprudencës në shqip kurse nxitoi ta paragjykojë aktgjykimin e Hagës

Për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, edhe pas kërkesave të përsëritura të studentëve dhe protestave, ministrit Jeton Shasivari i duhet kohë,…

BDI: Kush po e mbron Stoilkoviqin? Kuvendi duhet të nxjerrë të vërtetën.

Shkup, 23 shtator 2026 BDI – Konferencë për media Ilir Hasani – Deputet & Anëtar i Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm të…

BDI: Një javë heshtje pas aktgjykimit, Shasivari duhet të japë dorëheqje

Ka kaluar një javë nga shpallja e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ende nuk ka dhënë…