Ndërtimi i gazsjellësit është projekti më prioritar në sektorin energjetik në vend. Në ndërtimin e tubacionit kombëtar të gazit është punuar intensivisht në tre vitet e fundit dhe do të vazhdojë me të njëjtin ritëm edhe në periudhën e ardhshme, deklaroi Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi gjatë inspektimit të ndërtimit të degës së gazsjellësit Shkup-Tetovë së bashku me kryeministrin Zoran Zaev, ministrin e transportit dhe lidhjeve Bllagoj Boçvarski dhe me drejtorin e Resurseve Energjetike të Maqedonisë Bajram Rexhepi.  Në fjalimin e tij, Ministri theksoi se paralelisht me ndërtimin e tubacionit kombëtar të gazit,        Ministria e Ekonomisë është duke punuar në krijimin e një partneriteti publik-privat për   ndërtimin e rrjetit të tubacioneve të gazit distribuiv. “Kjo do të sigurojë çmime më të ulëta të energenseve për industrinë dhe ekonominë, ndërsa kompanitë do të bëhen më konkurruese, me çka edhe do të ulen shpenzimet e tyre në fushën e furnizimit me energense, por gjithashtu do t’u sigurojë qytetarëve mundësinë për tu furnizuar me gaz natyror”, ceku Bekteshi. Seksioni i tubacionit të gazit Shkup-Tetovë-Gostivar në gjatësi prej 85 km është ndërtuar 66%, dhe parashikimet janë që kjo degë të përfundojë me ndërtim në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, duke përfshirë ndërtimin e stacioneve matëse dhe seksioneve drejt qyteteve.