“Agjenda e Gjelbër dhe qëndrueshmëria nuk janë vetëm tendenca dhe slogane të modës që të gjithë duan t’i përfshijnë në temën e tyre, por janë çështje që kërkojnë fokus të vërtetë dhe punë serioze. Në kohë krizash të mëvonshme, ndryshimet klimatike nuk e kanë zvogëluar urgjencën e tyre, por përkundrazi, kërkojnë që ne të punojmë intensivisht për zbutjen dhe përshtatjen e shpejtë. Por askush nuk mund të ketë sukses i vetëm në këtë mision, nevojitet bashkëpunim intensiv dhe veprime të përbashkëta strategjike për të arritur qëllimet e përcaktuara klimatike dhe për të siguruar një rajon të qëndrueshëm dhe neutral klimatik, si pjesë e komunitetit më të gjërë botëror. Jemi këtu për të diskutuar për këto qasje dhe zgjidhje rajonale” – tha ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini në fjalimin hyrës me të cilin hapi panel-sesionin: “Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor: Kornizë zbatimi për rajon të qëndrueshëm dhe neutral klimatik” në kuadër të Forumit të Prespës për Dialog që po mbahet sot dhe nesër në Ohër.
Në këtë panel-sesion ku nikoqir ishte ministri Nuredini, për pikëpamjet, sfidat dhe mendimet e tyre për zgjidhjet e mundshme si dhe për drejtimet e trasuara për sigurimin e zhvillimit të gjelbër rajonal, diskutuan David Moran, Ambasador Rajonal për Ndryshimet Klimatike në Mbretërinë e Bashkuar, Turqinë dhe Iranin, Ana Novakoviq-Gjuroviq, ministre e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit të Malit të Zi, Almira Xhembulla zëvendësministre e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Festim Hasani, Drejtor i Përgjithshëm i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik nga Maqedonia e Veriut, Igli Hasani, Koordinator i OSBE-së për Aktivitete Ekonomike dhe Mjedisore, si dhe Bojana Stanojevaska-Peçurovska, nga Qendra për Ndryshime Klimatike në Maqedoninë e Veriut.