Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi i shoqëruar nga kryeministri Zaev, ministra nga kabineti qeveritarë, kryetari i Shkupit z. Petre Shilegov dhe ai i Çairit z. Visar Ganiu, sot kanë bërë hapjen solemne të investimit të ri në tregun e Bit Pazarit. “Të nderuar investitorë, i nderuar kryeministër, kolegë, kryetari i Shkupit Shilegov, i nderuar Visar, dhe gjithë ju mysafirë të dashur, media, qytetarë. Kam kënaqësi të madhe të marr pjesë sot në lëshimin në përdorim të një projekti të premtuar për rregullimin e njërës prej simboleve historike të Shkupit, i cili siguron kushte humane pune për të gjithë tregtarët në tregun më të madh në vend. I përgëzoj investitorët, tregtarët por edhe qytetarët për përfundimin e këtij projekti. Më gëzon fakti që jemi pjesë e një historie të ndryshme për Shkupin, të cilën gjithashtu do ta quaja edhe unitet”, ka theksuar kështu Grubi në fjalimin e tij. Sipas tij, sot jemi dëshmitarë të transformimit të një tregu shumë modern i cili është dhe simbol tradicional ekonomik i Shkupit. “Shkupi sot është ajo që kemi ëndërruar gjithmonë ta kemi, një për të gjithë, të majtë dhe të djathtë, megjithatë të plotë, jo tonën dhe tuajën. Urime Visarit dhe Petres të cilët ndërtojnë unitet dhe të ardhme dhe jo të kaluar dhe ndasi. Sot jemi dëshmitarë të transformimit të një tregu që ka funksionuar prej shumë vitesh, do të thoja si një treg i improvizuar, pa kushte dhe parking të veçantë. Bit Pazari është simboli tradicional ekonomik i Shkupit, i cili për shkak të vendndodhjes së tij, i bashkuar me Çarshinë e vjetër të Shkupit është vend simbolik në gjithë vendin. Një vend modern, i pastër dhe i rregulluar për të treguar, kjo është ajo që u ofrohet qytetarëve, sepse qytetarët tanë e meritojnë”, ka thënë mes tjerave, Grubi.