Sot, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, realizoi takim me ambasadorin e ri të Finlandës në vendin tonë, me seli në Beograd, Sh. T. Niklas Lindkvist, të cilit i drejtoi urime për emërimin dhe i uroi punë të suksesshme. Në vazhdim, Kryetari i theksoi marrëdhëniet e mira bilaterale dhe sugjeroi se me anëtarësimin e Finlandës në NATO, kemi një mundësi më shumë për intensifikimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit. Ai po ashtu shprehu mirënjohje për mbështetjen e Finlandës në kontekst të aspiratave të vendit tonë për integrim në Bashkimin Evropian. Temë e paevitueshme për bisedë ishte qeveria teknike dhe zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në vendin tonë vitin e ardhshëm. U përmend edhe Grupi Parlamentar i Bashkëpunimit me Finlandën, që formohet në Kuvend në çdo përbërje parlamentare.
Ambasadori Lindkvist falënderoi për ratifikimin e shpejtë të protokollit aderues të Finlandës në NATO nga ana e Kuvendit tonë dhe theksoi se anëtarësimi i përbashkët në NATO është një bazë e shkëlqyer për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve. Ai e përmendi përvojën e Finlandës në bashkëpunimin rajonal me vendet nordike, përvojë të cilën mund ta ndajnë me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Ambasadori Lindkvist drejtoi edhe lëvdata për vendin tonë për organizimin e shkëlqyer të Këshillit Ministror të OSBE-së në Shkup para dhjetë ditëve.
Kryetari Xhaferi në fund të takimit i konfirmoi ambasadorit Lindkvist se Kuvendi do të jetë edhe më tej i hapur për çdo vizitë dhe bashkëpunim miqësor me Finlandën.