Anëtare e zgjedhur e Këshillit të Përgjithshëm
Luzhjana Neziraj-Deari

Luzhjana Deari ka lindur në vitin 1978 në Bajram Curri, Republikën e Shqipërisë. Arsimin fillor dhe të mesëm e ka përfunduar në vendlindje, ndërsa studimet universitare i ka ndjekur në Fakultetin Juridik të Universitetit Shtetëror të Tetovës, ku në vitin 2003 është diplomuar si juriste.
Tetova u bë më pas edhe vendi ku ajo ndërtoi jetën e saj familjare. Në vitet në vijim u bë nënë e tre fëmijëve, periudhë gjatë së cilës iu përkushtua kujdesit dhe rritjes së tyre. Edhe pse për një kohë të caktuar ishte e shkëputur nga profesioni i saj, ajo mbeti aktive dhe e angazhuar në mënyrë të vazhdueshme në biznesin familjar, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në menaxhimin dhe zhvillimin e tij.
Në vitin 2013 u punësua përmes programit të punësimit në Sekretariatin për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Në vitin 2020, filloi punën në Gjykatën Themelore të Tetovës, në sektorin e Evidencës së Dënimeve (Dëshmia e Penalitetit). Paralelisht me angazhimin profesional, ajo ka përfunduar edhe provimin e Jurisprudencës pranë Ministrisë së Drejtësisë, duke u pajisur me dëshminë përkatëse.
Përveç angazhimit profesional, Luzhjana Deari ka qenë e pranishme dhe aktive edhe në jetën shoqërore dhe politike. Gjatë viteve ka kontribuar në organizimin e fushatave dhe aktiviteteve të ndryshme partiake si aktiviste e përkushtuar, shpeshherë me një rol jo gjithmonë të dukshëm publikisht, por me qëndrime të qarta dhe argumentuese në diskutime dhe procese organizative.
Aktualisht, ajo është anëtare e Këshillit të Përgjithshëm, ku vazhdon të japë kontributin e saj në zhvillimin dhe avancimin e proceseve organizative dhe politike, me përkushtim dhe përgjegjësi ndaj kauzës që përfaqëson.
