Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në konferencën e sotme për shtyp njoftoi se më 9 nëntor 2020 Republika e Maqedonisë së Veriut zyrtarisht u bë vendi i 13-të anëtar në Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik të Detit të Zi, e njohur me shkurtesën “BSEC”.“Kjo organizatë mbulon tre rajone të ndryshme – Ballkanin, Kaukazin dhe Detin e Zi, me një sipërfaqe prej 20 milion kilometra katrorë; Vlen të theksohet se shkalla e tregtisë brenda BSEC është afërsisht 170 miliardë dollarë në vit, dhe është e rëndësishme se BSEC, është burimi i dytë më i madh i naftës dhe i gazit natyror, në rajonin e Gjirit Persik, duke e bërë atë një nga furnizuesit kryesor të energjisë për Evropën Perëndimore”, theksoi Osmani, duke numëruar një gamë e gjerë fushash bashkëpunimi mes vendeve anëtare të organizatës: tregtia dhe zhvillimi ekonomik; bankat dhe financat; komunikimi; energjia; transporti; bujqësia dhe agro-industria; kujdesi shëndetësor dhe farmaceutik; mbrojtja e mjedisit; turizmi; shkenca dhe teknologjia, etj.“Çdo planifikim i mega projekteve të ardhshme, në fushën e infrastrukturës ose energjetikës, që gjeografikisht do të burojë nga BSEC, ne do të mund ta ndjekim nga afër dhe të përfshihemi si një shfrytëzues. Kjo, sigurisht që krijon kushte dhe mundësi të reja, për tërheqjen e investimeve të huaja, si dhe krijimin e potencialit shtesë për bizneset vendase, veçanërisht atyre që janë të orientuara drejt eksportit”, tha Osmani duke shtuar se katër prej pesë vendeve fqinje tashmë janë vende anëtare në këtë organizatë.Në vazhdim Osmani informoi se Republika e Maqedonisë së Veriut ka parashtruar kandidaturën për kryesim me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSBE në vitin 2023.“Kryesimi me OSBE-në, do të kontribuojë në një pozicionim të ri, më të mirë dhe më të dukshëm ndërkombëtar të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me një rol tejet konstruktiv dhe kontribues në promovimin e angazhimeve të OSBE-së, duke krijuar edhe mundësi për të treguar kapacitet institucional, i cili pritet nga një vend anëtar i NATO-s, dhe një shtet anëtar i ardhshëm i BE-së”, tha Osmani, duke bërë me dije se kjo përbën edhe mundësi për rritje më të madhe të mbështetjes të opinionit publik në BE për procesin e aderimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në kuadër të procesit që vijon për bisedimet për anëtarësim të plotë.