Osmani nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së: Drejtësia dhe përgjegjësia duhet të mbizotërojnë

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, mbajti fjalim në Konferencën për Ukrainën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Me rastin e dyvjetorit të invazionit rus mbi Ukrainën, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mbajti brifing për Ukrainën, ku folën një numër i madh ministrash të punëve të jashtme dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

“Dy vjet nga invazioni i Federatës Ruse ndaj Ukrainës – shkelje e qartë e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe e së drejtës ndërkombëtare”, theksoi Osmani në fjalimin e tij.

Njëherit ai i bëri thirrje Rusisë që të ndalojë këtë luftë të pakuptimtë dhe t’i tërheqë trupat e saj nga territori sovran i Ukrainës. Osmani shtoi se kjo është mënyra e vetme për rivendosjen e paqes dhe krijimin e kushteve për angazhim të mëtutjeshëm diplomatik për zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe respektimin e plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

“Agresioni rus ndaj Ukrainës shkel Kartën e OKB-së, e cila mbështet bashkëjetesën tonë paqësore dhe sigurinë globale”, tha Osmani, duke shtuar se gjatë këtyre dy viteve, populli i Ukrainës ka treguar qëndrueshmëri dhe guxim të jashtëzakonshëm në luftën për liri dhe pavarësi.

Osmani theksoi se drejtësia dhe përgjegjësia duhet të mbizotërojë dhe se llogaridhënia nuk është qëllim në vetvete; është një mjet i domosdoshëm për të garantuar paqen, stabilitetin, sigurinë dhe instrumentin më efektiv për të shmangur përsëritjen e kësaj, në një shtet tjetër sovran, në një komb tjetër.

“Në këto kohë të vështira, Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të qëndrojë pranë Ukrainës dhe popullit të saj, me shpresën se arsyeja do të triumfojë dhe se jeta së shpejti do të kthehet në normalitet”, tha Osmani.

Related posts

Ali Ahmeti priti ambasadorin italian Silvestri: Ndërhyrja ndaj gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes së Ohrit rëndon situatën

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot  në Tetovë,  priti ambasadorin e Italisë në vendin tonë z. Andrea Silvestri. …

30 vjetori i UÇK-së, Ahmeti: Tre shkronjat e arta sollën kthesën historike në fatin e kombit shqiptar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka qëndruar në Prishtinë së bashku me veprimtarë të çështjes kombëtare e atdhetarë kanë…

Gjuha shqipe është vija që nuk duhet dhe nuk guxon të kapërcehet!

Teksa afrohet dita e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e Ligjit për Gjuhët, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paralajmëron edhe një…