Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, bëri hapjen e garës shtetërore të kodimit te nxënësit e moshës 10 deri në 15 vjeç, organizuar nga Këshilli Britanik në kuadër të programit rajonal “Shkollat e Shekullit 21” financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, në të cilin Maqedonia e Veriut merr pjesë për të tretin vit radhazi. Me projektet e përgatitura për implementimin e pajisjes mikro-bit, gjithsej 15 ekipe të nxënësve konkurrojnë për vendin e parë në nivel kombëtar, i cili siguron pjesëmarrje në garën rajonal të kodimit në të cilin marrin pjesë nxënësit nga Ballkani Perëndimor. Fituesit do të shpallen sot pasdite. Duke ju uruar sukses të gjithë pjesëmarrësve në garë, ministri Shaqiri theksoi se ndihet krenar për gjeneratat e reja që tregojnë kreativitet të lartë, inovacion dhe dëshirë për të zhvilluar shkathtësi digjitale që krijojnë projekte që mund të aplikohen për tejkalimin e sfidave të ndryshme të jetës së përditshme. “Duke parë rezultatet e angazhimit dhe përkushtimit tuaj, fitoj besimin se kanë filluar të dalin liderë të rinj shoqërorë, ndryshues dhe shtytës të progresit të përgjithshëm të vendit. Ju jeni e ardhmja e këtij vendi dhe ju uroj që të përdorni të gjithë potencialin tuaj këtu, dhe ne si institucione të sistemit me mbështetjen e partnerëve të shumtë duke përfshirë Këshillin Britanik, do të vazhdojmë të krijojmë kushte për këtë dhe t`ju bëjmë të kënaqur me kujdesin që në fakt duhet ta merrni nga shteti”, theksoi Shaqiri. Para fillimit të garës, urimet për rezultatet e arritura deri më tani dhe urimet për fitimin e vendit të parë të ekipeve të nxënësve i shprehu drejtoresha e Këshillit Britanik Eleonora Zaprova. “Shkollat e shekullit të 21” është program që implementohet nga Këshilli Britanik në gjashtë vende të rajonit, duke përfshirë edhe vendin tonë, me mbështetjen e plotë financiare dhe logjistike të Qeverisë Britanike. Qëllimi i programit është që nxënësit të fitojnë shkathtësi të reja digjitale dhe të zhvillojnë të menduarit kritik dhe aftësitë për zgjidhjen e problemeve, duke përfshirë përdorimin e pajisjeve mikro-bit.