Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi ka realizuar sot takim me ambasadorin e ri të Republikës së Kosovës në Shkup, Florian Qehaja.
Bekteshi në fillim të takimit ka uruar ambasadorin Qehaja për detyrën e re dhe i ka dëshiruar suksese gjatë mandatit të tij.
Rritja e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, si dhe ndërmarrja e hapave të përbashkëta, projektet infrastrukturore dhe zhvillimi i turizmit, të cilat do të ndikojnë në krijimin e kushteve për rritje të përshpejtuar ekonomike, ishin temat kryesore për të cilat diskutuan Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe ambasadori i Republikës së Kosovës, Florian Qehaja.
Në takim u shkëmbyen mendime për masat e marra nga dy vendet fqinje për përballimin e krizës energjetike që ka prekur rajonin dhe botën, si dhe hapat e ardhshëm në këtë drejtim, me qëllim arritjen e një pavarësie më të madhe energjetike.
Ministri Bekteshi në takim theksoi se Republika e Kosovës është partner i rëndësishëm tregtar për Maqedoninë e Veriut, duke vlerësuar si një ndër vendet me këmbimin më të madh tregtarë dhe është në vendin e 10-të në listën e vendeve me të cilat Republika e Maqedonisë së Veriut realizon vëllimin më të madh të tregtisë.
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, vitin e kaluar ka pasur rritje të konsiderueshme të tregtisë së përgjithshme ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës prej 43%, ku eksportet janë rritur për 29,6% dhe importet për 137,2%.
Në katër muajt e parë të vitit 2022, këmbimi i përgjithshëm arriti në 162.3 milionë euro, prej të cilave 118.7 milionë euro i takojnë eksporteve në Republikën e Kosovës, ndërsa 43.5 milionë euro i përkasin importeve nga Republika e Kosovës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, tregtia totale është rritur me 49,7%, eksportet me 40,4% dhe importet me 82,7%.
Bekteshi me ambasadorin Qehaja u dakorduan që bashkëpunimi mes dy vendeve të thellohet në të ardhmen edhe më shumë.