Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së punës në Japoni, realizoi takim me Kenji Wakamiya, Ministrin e OSAKA EKSPO 2025. Në takim, Ministri Osmani informoi për vendimin e sjellë të Qeverisë që Maqedonia e Veriut të merr pjesë në OSAKA EKSPO 2025, ngjarje botërore me rëndësi të jashtëzakonshme, e cila do të mbahet në vitin 2025 në qytetin Osaka, Japoni. “Pjesëmarrja e Maqedonisë së Veriut në OSAKA EKSPO 2025 paraqet mundësi të shkëlqyer për të vendosur kontakte të drejtpërdrejta ndërmjet bashkësive të biznesit dhe për tërheqjen e investimeve japoneze në vendin tonë. Gjithashtu, krijon mundësi për forcimin e bashkëpunimit ekonomik me Japoninë, si dhe për rritjen e dukshmërisë së Maqedonisë së Veriut në rajonin e Azisë Lindore”, tha Osmani. Nga ana e tij, ministri Wakamiya falënderoi për vendimin e Qeverisë sonë, me çka shprehu pritjen se pjesëmarrja e Maqedonisë së Veriut në World EXPO 2025 do të kontribuojë në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe biznesit. MPJ, si koordinatore për organizimin e Pavijonit Nacional të Maqedonisë së Veriut në këtë ngjarje të madhe, pas kësaj vizite do të fillojë me aktivitete përgatitore për përpilimin e konceptit për paraqitjen tonë, duke shfrytëzuar përvojat pozitive nga pjesëmarrja e EKSPO Dubai. OSAKA EXPO 2025 është manifestim i ekspozitës globale, në të cilën planifikohet të marrin pjesë rreth 150 shtete dhe 25 organizata ndërkombëtare. Paraprakisht, gjatë vizitës së punës në Japoni, Osmani organizoi Forum biznesi në selinë e Organizatës Japoneze për Tregti të Jashtme (JETRO), ku morën pjesë përfaqësues të lartë të kompanive të njohura japoneze, ndër të cilat edhe Honda, Mitsubishi, Nipon Koei etj. Në ngjarje u prezantuan përfitimet që i ofron vendi për investime të huaja, ku u shpreh interesim nga ana e biznesmenëve të pranishëm për të investuar në vend.